Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova U17 e shtata në Evropianin B

(KD) – Përfaqësuesja U17 e Kosovës në hendboll është renditur e shtata në Kampionatin Evropian të Divizionit B për vajza. Në ndeshjen për vendin e shtatë, Kosova fitoi bindshëm ndaj Letonisë. Të dielën, në Ankara të Turqisë, Kosova U17 e mposhti Letoninë me rezultatin 39:27.

Kosova u shkëput që në pjesën e parë, ndërsa dallimi i madh në rezultat u bë në pjesën e dytë. Diona Dresh shkëlqeu me 11 gola nga 12 tentime. Tetë gola nga 11 tentime i kishte Sara Gjergjaj, ndërsa Arona Krasniqi shënoi shtatë gola nga nëntë tentime.

Kosova U17 e mbylli Evropianin me dy fitore, një barazim e tri humbje. Sipas zyrtarëve të Federatës së Hendbollit të Kosovës, është Evropiani më i mirë deri më tani i kategorive të reja dhe kjo dëshmon rritjen konstante të hendbollit kosovar.

Hendbollistet e reja të Kosovës pësuan thellë, 35:15, nga Sllovakia në ndeshjen e parë. Me rezultatin 40:19 humbën nga Polonia në ndeshjen e dytë. Kthimi u bë në ndeshjen e tretë, të cilën Kosova e fitoi 34:29 ndaj Bullgarisë. Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova barazoi 29:29 me Finlandën, prej së cilës jo shumë vjet më parë kishte humbur me më shumë se 20 gola dallim.

Në ndeshjen e parë për plasman, Kosova pësoi 29:24 nga Italia. Edhe kjo paraqitje është vlerësuar pozitive nga FHK-ja. Ndërkohë në mbyllje erdhi fitorja e thellë ndaj Letonisë.

Edhe Kosova e parafundit në Evropianin B në Prishtinë Sporte të tjera 11 muaj më parë Kosova e parafundit në Evropianin B në Prishtinë

Në Evropianin B në Ankara morën pjesë dhjetë përfaqësuese. Kosova ka lënë prapa Letoninë, Bullgarinë dhe Britaninë e Madhe.

“Kombëtarja jonë ka lidhur katër ndeshje shumë pozitive në Evropian, pas paraqitjes më të zbehtë në dy ndeshjet e para. Shënoi dy fitore e një barazim, ndërsa prej kësaj gjenerate priten gjëra të mëdha në të ardhmen. Sfidën e radhës këto vajza do ta kenë pas disa javësh në IHF Trophy që mbahet në vendin tonë. Evropiani ka dëshmuar rritjen graduale të kësaj gjenerate dhe hendbollit tonë në përgjithësi”, ka shkruar FHK-ja.