Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll është renditur e shtata në Kampionatin Evropian të Divizionit B. Në ndeshjen për vend të shtatë në Evropianin në Prishtinë, Kosova e mposhti Letoninë.
Ndeshja e luajtur të dielën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë përfundoi 36:31 në të mirë të hendbollisteve të reja të Kosovës. Kosova U19 ishte në epërsi nga fillimi dhe arriti fitoren e dytë në Evropian. Epërsia e Kosovës ishte vazhdimisht prej disa golave.
Më e mira te Kosova u shpall Mirjeta Dinolli. Ajo shënoi nëntë gola nga nëntë tentime. Shtatë gola nga dhjetë tentime i kishte Angjelina Krasniqi, ndërsa pesë gola nga tetë tentime i shënoi Elsa Kongjeli. Portieret Selvije Mullakadrija dhe Marisa Berisha kontribuuan me dhjetë pritje gjithsej. Kështu Kosova U19 renditet e shtata, ndërsa Letonia e teta.
E fundit në renditje, përkatësisht e nënta, mbetet Britania e Madhe. Kosova ka shënuar dy fitore, ndërsa ka pësuar katër humbje. Ndërkohë Letonia i humbi të gjitha pesë ndeshjet. Në fazën grupore, Kosova U19 fitoi ndaj Britanisë së Madhe, ndërsa pësoi humbje të thella nga Sllovakia, Italia dhe Finlanda. Të shtunën në ndeshjen e parë për plasman, Kosova U19 humbi thellë edhe nga Izraeli, 39:25.
Pas pjesës së parë Kosova ishte në avantazh, por dëshpëroi me paraqitje në pjesën e dytë. Federata Evropiane e Hendbollit ka organizuar Kampionatin Evropian të Divizionit A dhe dy kampionate të divizionit B. Pos në Kosovë, një Evropian i Divizionit B u organizua në Lituani.