Hendbollistet e reja të Kosovës kanë vazhduar me humbje të thella në Kampionatin Evropian të Divizionit B. Përfaqësuesja U17 e Kosovës në hendboll të dielën u përball me Poloninë, ndërsa humbi me 21 gola dallim. 40:19 në të mirë të Polonisë ishte rezultati në fund. Të shtunën në ndeshjen e parë, Kosova U17 humbi me 20 gola dallim nga Sllovakia. Sllovaket fituan me rezultat 35:15.
Ndaj Polonisë, hendbollistet e Kosovës u mbajtën pak më mirë në pjesën e parë. Pas 30 minutave rezultati ishte 18:9. Diferenca e golave u rrit dukshëm në pjesën e dytë. Sërish ka pasur lëshime të shumta në lojën e Kosovës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kishte gabime teknike, topa të humbur e gjuajtje nga pozita të papërshtatshme.
Arona Krasniqi i shënoi pesë gola nga shtatë tentime. Gjashtë gola nga dhjetë tentime i kishte Diona Dresh, ndërsa Arjeta Imeraj shënoi katër gola nga gjashtë tentime.
Të hënën pasdite, Kosova U17 luan me Bullgarinë. Synimi është të arrihet fitorja e parë. Të enjten, hendbollistet kosovare e luajnë ndeshjen e fundit në grup, me Finlandën.
Në grupin tjetër janë Austria, Italia, Turqia, Letonia e Britania e Madhe.
Evropiani po luhet në Ankara të Turqisë.