Ndeshja në mes të Bjellorusisë dhe Përfaqësueses së Kosovës, do të luhet në Greqi. Kështu ka bërë të ditur të mërkurën për KOHËN, drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Ai ka thënë se nga Federata e Futbollit të Bjellorusisë kanë marrë njoftim se kanë vendosur që ndeshjen ndaj Kosovës ta zhvillojnë në tokën greke. Megjithatë, Sahiti ka shtuar se ende nuk është caktuar qyteti apo stadiumi në të cilin do të luhet kjo përballje. Ndeshja Bjellorusi – Kosovë do të zhvillohet me datën 19 qershor dhe i takon Grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.
Shtëpia Evropiane e futbollit, UEFA, ka vendosur që Bjellorusia ndeshjet si vendase t’i luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve. E gjithë kjo, për shkak të përfshirjes së saj në pushtimin rus të Ukrainës. Dhe, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka vendosur tashmë për organizimin e ndeshjes kundër Kosovës. Do ta organizojë në Greqi, shtetin ku futbollistët e Kosovës e kanë shkelur më së shumti. Pra, plot tri ndeshje, “Dardanët” i kanë luajtur në Greqi gjatë përballjeve me përfaqësuesen greke në kuadër të Ligës së Kombeve dhe kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Në Greqi, Kosova i ka regjistruar dy barazime dhe një humbje.
“Po është caktuar që ndeshja të luhet në Greqi, por ende nuk është caktuar stadiumi dhe qyteti. Realisht, kemi pritur që këtu diku afër do të luhet kjo ndeshje, pasi në opsion ishte edhe Turqia. Por, në fund është caktuar Greqia dhe me kohë do të njoftohemi edhe për stadiumin në të cilin kanë vendosur ata që të luajnë ndeshjen ndaj nesh”, ka thënë Sahiti për KOHËN.
Federata e Futbollit e Bjellorusisë e kishte si opsion edhe Turqinë për ndeshjen kundër Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Në grup me Kosovën e Bjellorusinë janë edhe Zvicra, Izraeli, Rumania dhe Andorra. Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë në disa raste kanë garuar në Bjellorusi. Megjithatë, vendimi i UEFA-s bën që ndeshja e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024 të luhet në vend neutral.
Federata e Futbollit e Bjellorusisë tashmë ka luajtur një ndeshje jashtë territorit të saj në këtë cikël kualifikues për “Euro 2024”. Ndeshjen me Zvicrën e organizoi në Novi-Sad, përkatësisht në stadiumin “Karagjorgje”. Kjo ndeshje u zhvillua më 25 mars në kuadër të Grupi I për eliminatoret e Evropianit, që vitin tjetër do të mbahet në Gjermani. Në Serbi udhëtoi vetëm Granit Xhaka, i gatshëm për lojë. Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri që ishin ftuar për ndeshjet e marsit, munguan shkaku lëndimeve.
Kosova në mars i luajti dy ndeshjet e para kualifikuese, atë kundër Izraelit më 25 mars në Tel-Aviv. Ndërsa, tri ditë më vonë, priti Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të dyja ndeshjet i mbylli me rezultat të njëjtë, 1:1. Ndërkohë, Bjellorusia i ka dy humbje në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të këtyre kualifikimeve.