Sport

Bjellorusët tregojnë pse vendosën të presin Shaqirin e Xhakën në Serbi

Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka arsyetuar vendimin që ndeshjen me Zvicrën e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës ta organizojë në territorin e Serbisë.

Të premten FIFA dënoi Federatën e Futbollit të Serbisë për fyerjet e tifozëve serbë ndaj Xhakës e Shaqirit në Kupën e Botës në Katar. Dy yjet shqiptare të Zvicrës janë goxha të urryer në Serbi, pasi kanë dërguar dy herë rresht përfaqësuesen e këtij vendi nga Botërori në shtëpi. Me gjithë tensionet e mundshme, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka vendosur që ndeshjen me Zvicrën ta organizojë në Novi Sad, përkatësisht në stadiumin “Karagjorgje”.

Ndeshja Bjellorusi – Zvicër luhet më 25 mars dhe i takon Grupit I të eliminatoreve për Euro 2024. Në këtë grup bënë pjesë edhe Kosova.

Mediat në vende të ndryshme e kanë vlerësuar absurd vendimin që ndeshja Bjellorusi – Zvicër të luhet në Serbi, marrë për bazë provokimet që huliganët serbë kanë bërë ndaj shqiptarëve të Zvicrës si në Botërorin në Rusi, ashtu edhe në Botërorin në Katar. Por në federatën bjelloruse e vlerësojnë normal vendimin që ndeshja të luhet në Serbi.

“Duke marrë parasysh se për momentin nuk mund të luajmë në stadiumet në vendin tonë ndeshjet zyrtare të përfaqësueses, si dhe logjistikën e komplikuar, Novi Sadi u zgjodh si një vend alternativ. Dhe ky qytet u miratua nga UEFA. Ne e përdorëm Novi Sadin gjatë Ligës së Kombeve të UEFA-s, vitin e kaluar. Luajtëm atje me Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Sllovakinë”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Federatës së Futbollit të Bjellorusisë.

Bjellorusët nuk presin që të ketë telashe të sigurisë, ndonëse ndeshja luhet në Serbi.

“Të gjitha ndeshjet janë luajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur telashe të sigurisë”, shkruan tutje në përgjigje.

Vendimin që ndeshja të luhet në Serbi e ka pranuar edhe federata zvicerane. Ajo ka treguar se nuk është pyetur nga UEFA lidhur me caktimin e Novi Sadit si vend ku do të luhet takimi.

UEFA ka vendosur që Bjellorusia të luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës.

Bjellorusia më 19 qershor e pret Kosovën. Qartë se kjo ndeshje nuk do të luhet në territorin e Serbisë.

“Sa i përket vendit të ndeshjes Bjellorusi – Kosovë, ende nuk vendosur asgjë”, thonë për KOHËN nga federata bjelloruse.

Në grupin I të kualifikimeve për Euro 2024 bëjnë pjesë edhe Izraeli, Rumania, e Andorra. Kosova ndeshjen e parë e luan në Tel Aviv ndaj Izraelit, më 25 mars. Më 28 mars e pret Andorrën.

Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë në disa raste kanë garuar në Bjellorusi. Megjithatë, vendimi i UEFA-s bën që ndeshja e kualifikimeve për Euro 2024 të luhet në vend neutral.