Sport

Pa shikues dhe në terren neutral, Bjellorusia duhet të kalohet nga Kosova

Në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad të Serbisë, përfaqësuesja e Bjellorusisë i nisi kualifikimet për “Euro 2024”. Më 25 mars pësoi me rezultat të thellë, 5:0, nga Zvicra. Granit Xhaka shkëlqeu në atë ndeshje me një gol e dy asistime.

Duke ditur se e ka Kosovën në grup, Bjellorusia ishte e detyruar të largohet nga Novi Sadi. Ndeshjen e dytë si vendase e luajti në Budapest të Hungarisë. Të premten, ishte duke udhëhequr 1:0 ndaj Izraelit deri në minutën e 85-të. Por më pas pranoi dy gola dhe pësoi 2:1.

Në stadiumin “Szusza Ferenc” në Budapest, Bjellorusia e luan edhe ndeshjen ndaj Kosovës, të hënën prej orës 20:45. Ndeshja luhet pa praninë e shikuesve.

UEFA e ka dënuar Bjellorusinë që të luajë ndeshjet si vendase në terren neutral dhe po ashtu pa praninë e shikuesve, për shkak të përfshirjes në pushimin rus të Ukrainës. Ka pasur vazhdimisht diskutime për largimin e Bjellorusisë nga garat e UEFA-s, por kjo megjithatë ka ndodhur. Pa ndonjë bujë dhe duke rreshtuar humbjet, Bjellorusia po paraqitet në kualifikimet për Euro 2024.

Pos nga Zvicra e nga Izraeli si vendase, Bjellorusia ka humbur 2:1 nga Rumania në udhëtim. Është e fundit në Grupin I të kualifikimeve për Evropian. Gjasa për kualifikim thuajse nuk ka, por dëm mund të bëjë. Kosovës i duhet fitorja për të hyrë në garë në pozitën e dytë. Me barazim apo humbje do të ishte thuajse plotësisht jashtë garës. Kështu që fitorja në Budapest vlerësohet obligim për “Dardanët”.

Bjellorusia nuk ka ndonjë lojtar të njohur në përbërje. Shumica e lojtarëve të saj paraqiten në ligën vendase, por edhe në Rusi, Azerbajxhan, Izrael e Kazakistan.

Bjellorusia nuk është paraqitur në ndonjë ngjarje të madhe dhe as që pritet të paraqitet së shpejti.

Rrjedhimisht Kosova është favorite ndaj saj. Te Bjellorusia kanë pranuar forcën e Kosovës. Kosova e Bjellorusia takohen për herë të parë.

“Kundërshtari është shumë i fortë. Luan futboll fizik, dëshiron duelet dhe fiton shumë duele. Duhet të luajmë në aspektin defensiv, sidomos në qendër. Bazohen shumë në sulmuesin e gjatë dhe Kosova luan mirë në ajër. Kemi një ndeshje të vështirë par”, ka thënë selektori i Bjellorusisë, Georgy Kondratyev. Ai ka vlerësuar se Kosova është përfaqësuesja e dytë më e fortë në grup. Për bazë e ka marrë çmimin e lojtarëve.

“Besoj se është ekipi numër dy në grup. Vetëm shikoni se në cilat klube luajnë lojtarët e saj. Kundërshtari vjen këtu për të luajtur dhe për të luftuar për iniciative. Lojtarët kundërshtarë luajnë në kampionate të forta dhe ekipe të forta. Kështu që është vështirë të thuhet si do të shkojë loja. Nuk do të ndalemi në mbrojtje, por kundërshtari mund të na detyrojë në këtë”, ka shtuar selektori bjellorus.

Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por nuk pritet ndonjë befasi në ndeshje. UEFA do të kujdeset që çdo të shkojë sipas rregullave. Ka mbi dy vjet që Bjellorusia nuk ka fituar ndeshje kualifikuese. Nëse ndaj Kosovës merr pikë, do të ishte sukses i madh për të. Por do të ishte dështim tjetër i madh për Kosovën.