Ndeshja në mes të Bjellorusisë dhe Përfaqësueses së Kosovës, megjithatë do të luhet në Hungari. Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën. FFK-ja ka marrë njoftim nga Federata bjelloruse se kanë vendosur që ndeshjen ndaj Kosovës ta zhvillojnë në tokën hungareze e jo në Greqi, siç tha muajin e kaluar drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Ndeshja Bjellorusi – Kosovë do të zhvillohet me datën 19 qershor në stadiumin “Szusza Ferenc” në Budapest. I takon Grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.
“Kryeqyteti hungarez, Budapesti, do të jetë vendi nikoqir i ndeshjes Bjellorusi – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Shtëpia Evropiane e futbollit, UEFA, ka vendosur që Bjellorusia ndeshjet si vendëse t’i luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve. E gjithë kjo, për shkak të përfshirjes së saj në pushtimin rus të Ukrainës. Dhe, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka vendosur tashmë për organizimin e ndeshjes kundër Kosovës. Do ta organizojë në Budapest, shtetin ku Federata e Futbollit e Kosovës shtatë vjet më parë u pranua në UEFA.
Federata e Futbollit e Bjellorusisë i kishte si opsion më herët edhe Greqinë edhe Turqinë për ndeshjen kundër Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Në grup me Kosovën e Bjellorusinë janë edhe Zvicra, Izraeli, Rumania dhe Andorra. Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë në disa raste kanë garuar në Bjellorusi. Megjithatë, vendimi i UEFA-s bën që ndeshja e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024 të luhet në vend neutral.
Federata e Futbollit e Bjellorusisë tashmë ka luajtur një ndeshje jashtë territorit të saj në këtë cikël kualifikues për “Euro 2024”. Ndeshjen me Zvicrën e organizoi në Novi-Sad, përkatësisht në stadiumin “Karagjorgje”. Kjo ndeshje u zhvillua më 25 mars në kuadër të Grupi I për eliminatoret e Evropianit, që vitin tjetër do të mbahet në Gjermani. Në Serbi udhëtoi vetëm Granit Xhaka, i gatshëm për lojë. Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri, që ishin ftuar për ndeshjet e marsit, munguan shkaku i lëndimeve.
Kosova në mars i luajti dy ndeshjet e para kualifikuese, atë kundër Izraelit më 25 mars në Tel-Aviv. Ndërsa tri ditë më vonë e priti Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të dyja ndeshjet i mbylli me rezultat të njëjtë, 1:1. Ndërkohë, Bjellorusia i ka dy humbje në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të këtyre kualifikimeve. Tri ditë para se Kosova të përballet me Bjellorusinë, do ta presë në Prishtina Përfaqësuesen e Rumanisë. Ndeshja do të luhet në “Fadil Vokrri”.