Federata e Futbollit e Bjellorusisë e ka si opsion Turqinë për ndeshjen kundër Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kështu ka mësuar KOHA të enjten. Ndeshja Bjellorusi-Kosovë luhet më datën 19 qershor dhe i takon Grupit I të eliminatoreve për Euro 2024. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Zvicra, Izraeli, Rumania dhe Andorra. UEFA ka vendosur që Bjellorusia ndeshjet si vendase t’i luajë në terren neutral dhe pa praninë e shikuesve për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës. Dhe, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka shtetin turk si opsion për organizimin e ndeshjes kundër Kosovës.
“Nuk është e konfirmuar ende, por Turqia është opsioni i vetëm për ta organizuar ndeshjen ndaj nesh. Ka ende kohë, por opsioni i Bjellorusisë është Turqia. Qyteti dhe stadiumi nuk dihen ende, por vetëm Turqia është përmendur si opsion. Mund t’i ndryshojë gjërat vetëm tërmeti i fundit shkatërrues”, ka thënë një zyrtar në kushte anonimiteti për KOHËN të enjten.
KOHA ka pyetur Federatën e Futbollit të Bjellorusisë se në cilin shtet e kanë si opsion për ta organizuar ndeshjen ndaj Kosovës. Por, nuk është kthyer asnjë përgjigje në lidhje me këtë. Megjithatë, bjellorusët kanë arsyetuar më herët vendimin që ndeshjen me Zvicrën e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, ta organizojë në territorin e Serbisë.
Me gjithë tensionet e mundshme, Federata e Futbollit e Bjellorusisë ka vendosur që ndeshjen me Zvicrën ta organizojë në Novi-Sad, përkatësisht në stadiumin “Karagjorgje”. Ndeshja Bjellorusi-Zvicër do luhet më 25 mars në kuadër të Grupi I për eliminatoret e Evropianit që vitin tjetër do të mbahet në Gjermani.
“Duke marrë parasysh se për momentin nuk mund të luajmë në stadiumet në vendin tonë, ndeshjet zyrtare të përfaqësueses, si dhe logjistikën e komplikuar, Novi-Sadi u zgjodh si një vend alternativ. Dhe ky qytet u miratua nga UEFA. Ne e përdorëm Novi-Sadin gjatë Ligës së Kombeve të UEFA-s, vitin e kaluar. Luajtëm atje me Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Sllovakinë”, thuhej në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Federatës së Futbollit të Bjellorusisë.
Por, ndeshjen ndaj Kosovës, Bjellorusia nuk do të mund ta luajë në territorin e Serbisë.
Kosova ndeshjen e parë e luan në Tel-Aviv ndaj Izraelit, më 25 mars. Ndërsa, tri ditë më vonë, e pret Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë në disa raste kanë garuar në Bjellorusi. Megjithatë, vendimi i UEFA-s bën që ndeshja e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024 të luhet në vend neutral.