Milot Rashica është futbollisti i vetëm i Përfaqësueses së Kosovës që luan në Premier League të Anglisë. Por Rashica që luan për Norwichin mund t’u mungojë “Dardanëve” për ndeshjet e muajit shtator. Premier League të martën ka dalë me një deklaratë ku kanë njoftuar se klubet kanë vendosur njëzëri për të mos lëshuar lojtarët për ndeshjet ndërkombëtare që zhvillohen në vendet që janë në listën e kuqe të Britanisë. Kosova në shtator i luan tri ndeshje. Më 2 shtator luan ndaj Gjeorgjisë në Batumi, pastaj pret Greqinë në Prishtinë pas tri ditësh. Në Prishtinë e luan edhe me Spanjën (8 shtator).
“Vendimi i klubeve, i cili mbështetet fuqimisht nga Premier League, do të zbatohet për gati 60 lojtarë nga 19 klube të Premier Leagues, të cilët do të udhëtojnë në 26 vende të listës së kuqe në dritaren ndërkombëtare të shtatorit. Diskutime të gjera janë zhvilluar me FA dhe Qeverinë për të gjetur një zgjidhje, por për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme të shëndetit publik në lidhje me udhëtarët që vijnë nga vendet e listës së kuqe, asnjë përjashtim nuk është bërë. Nëse kërkohet karantina pas kthimit nga vendet e listës së kuqe, jo vetëm që mirëqenia dhe aftësia e lojtarëve do të ndikohen ndjeshëm, por ata gjithashtu do të jenë të padisponueshëm për t'u përgatitur dhe për të luajtur në dy xhiro të ndeshjeve të Premier League, një ndeshje të garave të klubeve UEFA dhe raundin e tretë të Kupës EFL. Kjo periudhë merr parasysh 10 ditë karantinë hoteli kur kthehet në Angli, por nuk përfshin ndonjë kohë shtesë që do të kërkohej që lojtarët të rimarrin formën fizike për të luajtur”, thuhet në shkrimin e faqes zyrtare të Premier Leagues.
Shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters, tha se klubet e Premier Leagues kanë mbështetur gjithmonë dëshirat e lojtarëve të tyre për të përfaqësuar vendet e tyre dhe, sipas tij, është një çështje krenarie për të gjithë të interesuarit.
“Sidoqoftë, klubet me dëshirë por me të drejtë kanë arritur në përfundimin se do të ishte krejtësisht e paarsyeshme të lirohen lojtarët në këto rrethana të reja”, ka thënë Masters.
Kosova nuk është në listën e kuqe të Anglisë, por nëse situata me koronavirus, përkatësisht rritet numri i vdekjeve dhe të infektuarve, atëherë Kosova rrezikon të futet në këtë listë. Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se deri tash nuk janë njoftuar nga asnjë klub ku bëjnë karrierë futbollistët e Kosovës.
“Tash për tash nuk kemi asnjë paralajmërim që ndonjë lojtar mund të mos lirohet”, ka thënë Shala të martën për KOHËN.
Në fakt, Kosova ka pasur telashe të shumta dhe numri i lojtarëve herë pas here ka qenë i madh shkaku i situatës me koronavirus. E krahas problemeve me koronavirus, Kosova ka pasur telashe edhe me lojtarë të lënduar. Shkaku i lëndimit, “Dardanëve” do t’i mungojnë për grumbullimin e shtatorit dy lojtarë të ekipit bazë, Arbër Zeneli i Remsit dhe Edon Zhegrova i Baselit.
Edhe Shpresat e Kosovës kanë pasur telashe me koronavirus. Ka pasur lojtarë që nuk kanë mundur t’i bashkohen Kosovës U21 shkaku i koronavirusit. Edhe te U21 i Kosovës ka një lojtar që luan në Angli, te klubi i Fulhamit. Adrion Pajaziti luan për U23 të Fulhamit. Por menaxheri i U21, Zgjim Sojeva thotë se nuk kanë pasur deri tash ndonjë telash apo njoftim nga klubet prej ku vijnë lojtarët.
“Nuk na është lajmëruar askush që nuk mund të vijë ose që nuk e lëshon klubi. Të gjitha aspektet organizative janë kryer pa ndonjë telash dhe nga dita e parë deri në ditën që do të udhëtojmë për në Angli do të stërvitemi në qendrën stërvitore në Hajvali”, ka thënë Sojeva.
Për ndeshjen kualifikuese për “Euro 2023” ndaj Anglisë, që Kosova e luan më 7 shtator, përzgjedhësi Michael Nees ka publikuar të martën listën e lojtarëve. “Dardanët” e rinj grumbullohen më 30 gusht në Prishtinë, ndërsa drejt Anglisë nisen më 6 shtator.