Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, ende nuk e ka bindur trajnerin e Norwich Cityt, Dean Smith, se meriton një vend titullari. Smith të hënën në konferencën për shtyp para ndeshjes kampionale ndaj Birminghamit, ka deklaruar se pret angazhim më të madh nga Rashica në stërvitje.
Rashica në dy ndeshjet e fundit kampionale nuk është aktivizuar fare. Në fakt, në përballjen kundër Sunderlandit, të cilën Norwichi e fitoi 1:0, Rashica nuk ishte përfshirë fare në ekip.
Sulmuesi i krahut, Rashica, këtë edicion në vetëm katër ndeshje ishte titullar te Norwichi, përfshirë këtu edhe atë në EFL Cup kundër Bournemouthit. Kjo ishte ndeshja e vetme që Rashica e luajti prej fillimit deri në fund, ndërsa në tri ndeshjet kampionale ku ishte titullar është zëvendësuar. Në tri ndeshje tjera nuk është përfshirë fare, kurse ndaj Huddersfieldit është aktivizuar në shtatë minutat e fundit.
Trajneri Smith nuk ka bërë të ditur nëse Rashica do të paraqitet kundër Birminghamit, ndeshje që luhet të martën mbrëma dhe i takon xhiros së shtatë të Championshipit, përkatësisht kategorisë së dytë angleze. Smith ka thënë se ka biseduar personalisht me Rashicën, dhe pret prej tij që t’ia ndryshojë mendjen.
“E kemi pasur vetëm një stërvitje prej ndeshjes me Sunderlandin, në të cilën nuk ishte i përfshirë fare. Ai ka stërvitur mirë. Jam ulur dhe i kam shpjeguar arsyet e mia, sikurse që i kam pasur me Adam Idiah dhe Jordan Hugill. Kjo është mënyra që unë besoj se duhet të bëhet dhe pastaj varet prej futbollistëve që të ma ndërrojnë mendjen”, është shprehur Smith. “Besimi i tij është pak i ulët për momentin, sikurse i çdo lojtari që mund të jetë. Ai ka vetëm një asistim këtë edicion në ndeshjen kundër Wiganit, por është transferuar për një shumë të madhe parash si transferim i madh në Premier League dhe dëshiron të luajë në nivelin më të lartë”.
Smith insiston se Rashicën e konsideron lojtar të rëndësishëm për ekipin e tij, por thotë se gjithçka varet prej kosovarit. Smith arsyetohet se po vepron në këtë mënyrë, pasi dëshiron ta ndihmojë Rashicën të kthehet në formën e tij më të mirë.
Edhe
Norwichi nuk e ul çmimin për Rashicën, i cili insiston t’i bashkohet Galatasarayt
“Duke qenë në Championship, ai me siguri pret pak më shumë nga vetja. Ai po punon shumë për këtë. Nuk ka dyshim për dëshirën dhe qëndrimin e tij. Ai dëshiron të jetë një lojtar i mirë dhe ne po e ndihmojmë në këtë aspekt”, ka insistuar Smith. “Kur ai u kthye në ekip para fillimit të sezonit, të gjithë numrat tregonin në drejtimin e duhur, kështu që dëshira ekziston. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë”.
Rashica në verën e shkuar iu bashkua Norwichit nga Werder Bremeni për 11 milionë euro, por nuk arriti ta ndihmonte ekipin të siguronte mbijetesën në Premier League. Në sezonin e tij të parë në Angli, Rashica pati dy gola e po aq asistime në 35 paraqitje në të gjitha garat. Këtë edicion ai ka një asistim në pesë paraqitje. 26-vjeçari ka kontratë me Norwichin deri në verën e vitit 2025.