Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova prezanton kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Anëtarët e Komisionit vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) po qëndrojnë në Kosovë për të shqyrtuar kandidaturën e vendit për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Kosova, përkatësisht Prishtina, është kandidatja e vetme për të organizuar ngjarjen madhore në vitin 2030. Vendimi, që pritet të jetë pozitiv, do të merret në shtator në Greqi.

Delegacioni i ICMG-së kryesohet nga presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Paco Bonello, dhe sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis. Ky komision po e bën edhe vlerësimin e gjendjes në terren dhe po zhvillon takime me krerët e institucioneve dhe komunitetin sportiv.

Mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti. Ai ka pritur në takim anëtarët e delegacionit të ICMG-së, ndërsa prezent ishin edhe ministra të tjerë dhe përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Komisioni i ICMG-së është pritur edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në Komunën e Prishtinës.

“Konsolidimi i imazhit të shtetit, forcimi i identitetit, modernizimi i infrastrukturës fizike, nxitja e ekonomisë me mundësi të reja pune dhe e turizmit sportiv, përmirësimi i politikave sociale dhe arritja e zhvillimit të qëndrueshëm në sport duke shfaqur rezultatet tona kulminante sportive në botë, janë disa nga përfitimet direkte të organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë, për çka jemi duke treguar gatishmëri të plotë”, ka njoftuar MKRS-ja.

Edhe Kosova nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030 Sport Kosova nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030

Raporti, që pritet të jetë pozitiv, Komisioni i ICMG-së do ta prezantojë në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, më 8 shtator në Heraklion të Greqisë.

“Po punojmë me përkushtim të plotë që në vendin tonë të organizojmë një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë. Programi i Lojërave Mesdhetare përmban 24 sporte dhe pjesëmarrje të afër 5.000 sportistëve. Tashmë jemi një hap para”, ka shkruar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.