Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është ngritur në ranglistën e FIFA-s të publikuar të enjten për muajin shtator. Në krahasim me muajin e shkuar, Kosova në listën e re është ngritur për gjashtë pozita.
Renditet e 109-ta me 1176.26 pikë të grumbulluara, falë rezultateve të mira që i pati këtë muaj në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit “Katari 2022”. E mposhti Gjeorgjinë (1:0) në udhëtim, barazoi në shtëpi me Greqinë (1:1) dhe pësoi humbje nga Spanja (2:0) në kuadër të Grupit B kualifikues.
Kosova asnjëherë nuk ka qenë më lartë në renditjen e FIFA-s.
Ndërkohë, edhe Përfaqësuesja e Shqipërisë është ngritur për këtë muaj në ranglistë për tri pozita dhe zë vendin e 66 me 1368.73 pikë të mbledhura. Edhe Shqipëria pati rezultate të mira në ndeshjet e këtij muaji, ku e mposhti Hungarinë (1:0) e San Marinon (5:0) dhe pësoi nga Polonia (4:1).
Sa i përket pozitës së parë në ranglistë, atë ende e mbanë Përfaqësuesja e Belgjikës me 1832.33 pikë të mbledhura duke e lënë pas vetes Brazilin (1811.73), Anglinë (1755.44), Francën (1754.31) dhe Italinë (1735.73) që renditet e pesta.