Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova mposhtet nga Danimarka, superfuqia e hendbollit

Hendbollistet e Kosovës kanë qenë të pafuqishme përballë superfuqisë së hendbollit, Danimarkës, në hapje të kualifikimeve për “Euro 2024”. Përfaqësuesja e Kosovës u mposht në Horsens të Danimarkës me rezultatin 44:17. Ishte ndeshja e parë e xhiros së parë të fazës grupore të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Danezet që nga fillimi e deri në fund patën epërsinë dhe e kontrolluan lojën.

Te Kosova, Leonora Demaj shënoi pesë gola. Nga dy gola i patën Mirela Gjikokaj, Arlinda Hajdari dhe Marigona Hajdari. Më e dalluara në fitoren e danezeve ishte Kristina Jorgensen që pati shtatë gola të shënuar. Gjashtë gola i shënoi Emma Cecilie Uhrskov Friis, ndërsa me pesë gola kontribuoi Trine Jensen Ostergaard. Kontribut dha edhe portierja e Danimarkës, Anna Opstrup Kristensen, që priti 16 gjuajtje nga 33 sa i pati gjithsej.

Danimarka është superfuqi botërore në hendboll. Në vitin e kaluar luajti në finale të Kampionatit Evropian, kurse në vitin 2020 ishte gjysmëfinaliste. Në Botërorin e vitit 2021, Danimarka ishte renditur e treta. Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon të shtunën nga ora 20:15. E pret Danimarkën në Prishtinë. Në Grupin 8 me Kosovën dhe Danimarkën është edhe Polonia.

Artikuj të ngjashëm