Sport

Kosova kërkon kualifikimin në grupin e vështirë me tri përfaqësueset e regjionit

Sllovenia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina ishin në Kampionatin Evropian të hendbollit që këtë vit u mbajt në Hungari e Sllovaki. Një apo dy prej këtyre përfaqësueseve, Kosova shpreson t’i lërë jashtë Evropianit, që në vitin 2024 mbahet në Gjermani.

Kosova është në një grup me Slloveninë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën në eliminatoret për “Euro 2024”. Shorti është tërhequr të enjten mbrëma në Berlin, ndërsa ndeshjet e para kualifikuese zhvillohen në tetor të këtij viti.

Të katër përfaqësueset e grupit shtatë janë të shteteve që u formuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kosova ende nuk ka luajtur në Evropian dhe llogaritet autsajdere e grupit. Ishte në vazon e katërt, ndonëse e para në këtë vazo.

Hendbollistët e Sllovenisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës luajnë në nivel më të lartë se hendbollistët e Kosovës, ndërsa të gjitha këto përfaqësuese kanë përvojë më të madhe se Kosova. Por te përfaqësuesja e Kosovës ka optimizëm të matur për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Dy të parët në grup avancojnë në Evropian, ndërsa kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej tetë grupeve sa janë gjithsej.

“Grupi është i fortë, kundërshtarët janë me nivel, por ne duhet të mobilizohemi dhe të tregojmë vlerat që i kemi. Bosnjë-Hercegovina është kundërshtar më i pranueshëm, ndërsa Sllovenia e Mali i Zi janë kombëtare cilësore”, ka thënë përzgjedhësi Bujar Qerimi për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

“Duhet ta synojmë vendin e dytë dhe eventualisht që të jemi njëra prej katër kombëtareve të vendit të tretë që shkojnë në Evropian. Gjenerata e lojtarëve që kemi është tashmë me përvojë dhe në kulm të karrierës. Ndeshjet që i kishim në kualifikimet për Botëror na japin një pasqyrë të mirë para këtij cikli kualifikues për Evropian. Ndaj Malit të Zi në ndeshjet e kaluara nuk ishim larg. Ndërkohë Bosnja ka përtërirë ekipin, kështu që ne i kemi shanset tona. Por shanset nuk na i jep askush. Duhet që ne t’i marrim”, ka shtuar Qerimi.

Kosova me Malin e Zi ka luajtur në kualifikimet për “Euro 2024”. Është mbajtur mirë në të dyja ndeshjet, të cilat në fund i ka humbur. Ndërkohë me Bosnjë-Hercegovinën, Kosova ka luajtur më herët. Ka pësuar dy humbje të thella, por vlerësohet se Kosova në vitet e fundit është rritur shumë. Aq sa të synojë paraqitjen e parë në kampionatin kontinental.