Sport

Kosova humb thellë në nismë të Evropianit në Prishtinë

Paraqitja në shtëpi nuk u ka ndihmuar hendbollisteve të Kosovës në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian për grupmoshën U19, Divizioni B. Të shtunën mbrëma, Kosova U19 humbi thellë nga Sllovakia. Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa përfundoi me shifrat 39:26 në të mirë të Sllovakisë.

Sllovaket nisën fuqishëm dhe në minutën e 12-të krijuan epërsi prej 10:2. Epërsia e Sllovakisë më pas ishte vazhdimisht e lartë, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati ishte 19:10. Epërsia e sllovakeve ishte vazhdimisht e lartë edhe në pjesën e dytë. Kosova me gjithë përpjekjet, nuk ia doli të afrohet në rezultat.

Emma Lukacova shënoi nëntë gola për Sllovakinë, ndërsa nga gjashtë i kishin Timea Susikova dhe Dorota Bacenkova. Më e mira u shpall portierja Barbora Jakubikova, që kishte plot 14 pritje.

Kosova kishte telashe të mëdha në mbrojtje e po ashtu në konkretizimin e aksioneve.

Më efikasja ishte Arona Krasniqi me shtatë gola. Sara Gjergjaj realizoi pesë gola dhe u shpall më e mira.

“Ishte loja e parë, por përfundimisht ne dimë të luajmë më mirë. Në pjesën e parë kemi pasur telashe, sidomos në realizimin e golave. Në pjesën e dytë jemi paraqitur më mirë, por ne mundemi edhe më shumë. Tani do të shohim çka kemi bërë gabim dhe do të përmirësohemi për ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Gjergjaj.

Menjëherë të dielën mbrëma, Kosova luan me Italinë.

“Nuk jam i kënaqur me lojën. Ndoshta edhe presioni ka bërë të veten. Mbetet të përmirësohemi për ndeshjet tjera. Shpresoj në lojëra dhe rezultate më të mira”, ka thënë kryetrajneri i Kosovës U19, Granit Sahiti.

Në Evropianin në Prishtinë po paraqiten nëntë përfaqësuese. Në kuadër të grupit A, të shtunën Finlanda e mposhti Britaninë e Madhe me 37:23. Në grupin A është edhe Kosova.

Ndërkohë, në grupin B, Polonia fitoi 37:21 ndaj Izraelit, kurse Austria e mposhti Letoninë me shifrat 37:22.

Të dielën është vetëm edhe ndeshja Britania e Madhe – Sllovakia. Kjo ndeshje luhet prej orës 16:45. Kosova luan me Italinë prej orës 19:00.

Box *****

Basketboll, Kosova U20 pëson humbje nga Gjeorgjia

Basketbollistët e rinj të Kosovës janë mposhtur në ndeshjen e parë të Evropianit që po zhvillohet në Shkup. Ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian të Divizionit B, Kosova U20 e humbi nga Gjeorgjia e kësaj grupmoshe të shtunën me rezultatin 80:70.

Ky Evropian ka nisur të premten, ndërsa përfundon më 16 korrik. Ndeshja e së shtunës ishte e para për Kosovën e drejtuar nga trajneri Dritëro Sefaja në kuadër të Grupit C, ku janë edhe Suedia, Azerbajxhani dhe Ukraina. Gjeorgjia në fillim të ndeshjes krijoi shtatë pikë epërsi, 14:7, por çerekun e parë e fituan “Dardanët” e rinj, me rezultatin 23:16. Megjithatë, gjeorgjianët shkëputjen e madhe e bënë në periudhën e dytë dhe nuk e lëshuan epërsinë e krijuar, për të triumfuar në fund me 10 pikë epërsi. Jon Ukaj ishte më i dalluari te Kosova U20 me 16 pikë e gjashtë asistime. Dion Sheqiri shtoi 17 pikë e shtatë kërcime, kurse Visar Ejupi pati 16 pikë e shtatë kërcime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën. Duelin e radhës, Kosova U20 e luan kundër Suedisë të dielën në orën 16:00. Në vitin e kaluar, Kosova U20 përfundoi në vendin e 12-të në renditjen e përgjithshme të Divizionit B të Evropianit që u mbajt në Gjeorgji.