Sport

Kosova pëson humbje shumë të thellë nga Italia

Hendbollistet e reja të Kosovës kanë pësuar edhe një humbje të thellë në Kampionatin Evropian të Divizionit B. Të dielën mbrëma në Prishtinë, Kosova U19 pësoi nga Italia U19 me rezultat 41:17. Është ky rezultati dukshëm më i lartë në dy ditët e para të Evropianit në Prishtinë.

Për Italinë ishte ndeshja e parë dhe kjo përfaqësuese menjëherë dëshmoi se është në mesin e favoriteve.

Ndërkohë Kosova e pësoi humbjen e dytë. Të shtunën kishte pësuar 39:26 nga Sllovakia.

Hendbollistet italiane nisën fuqishëm dhe nuk e kanë ulur ritmin gjatë tërë ndeshjes. Hendbollistet e Kosovës janë munduar të përgjigjen në lojën e shpejtë, por kanë bërë shumë gabime teknike. Dhe në fund dallimi në rezultat ishte shumë i madh.

Hendbollistet e Kosovës kanë realizuar në 40 për qind të tentimeve. Ndërkohë italianet ishin të sakta në 69 për qind të gjuajtjeve që i bënë. Dallimi ishte i madh edhe në elementet e tjera.

Ka pasur sërish lëshime të mëdha në mbrojtje. Portieret e Kosovës kanë bërë vetëm pesë pritje gjithsej. Më efikasja te Kosova ishte Angjelina Krasniqi me pesë gola nga tetë tentime. Nga dy gola i shënuan Jonesa Bajrami, Arona Krasniqi, Ariona Dushica e Arjeta Imeraj.

Asia Krisel Mangone ishte më efikasja te Italia me pesë gola. Shkodranja Angela Prela shënoi tri gola nga katër tentime për Italinë.

Te Kosova shpresojnë që më shumë të shfaqin në ndeshjen e së hënës ndaj Britanisë së Madhe. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 19:00.

“Jemi munduar të japim maksimumin. Por kemi bërë gabime të shumta si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ndoshta edhe nga emocionet e lojës. Do të mundohemi të përmirësohemi dhe besojmë që në ndeshjet e tjera do të paraqitemi më mirë”, ka thënë pivotja e Kosovës, Arona Krasniqi.

Britania e Madhe të dielën pësoi me rezultat 25:14 nga Sllovakia. Sllovakia tani i ka dy fitore, ndërsa Britania e Madhe i ka dy humbje, njëjtë si Kosova.