Sport

Kosova grumbullohet me synim për të siguruar mbetjen në Ligën C dhe për të kthyer optimizmin

Me thuajse gjysmë ekipi, selektori Benard Challandes ka zhvilluar të hënën mbrëma stërvitjen e parë me Kosovën. Përfaqësuesja është grumbulluar për herë të fundit për këtë vit, ndërsa po bëhet gati për plot tri ndeshje.

Ndeshjet vlerësohen të rëndësishme për të kthyer optimizmin që ka humbur pas rezultateve negative rresht, për të rritur bazën e lojtarëve e po ashtu për të siguruar mbetjen në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kalimi eventual në Ligën B është i pamundur, por ekziston rreziku për mbetje në vend të fundit në grup dhe kështu për të rrezikuar rënien në nivelin më të ulët.

Para ndeshjeve që përcaktojnë këtë, Kosova do të luajë një miqësore të mërkurën nga ora 16:00 ndaj Shqipërisë, në Elbasan.

Ndeshja vëllazërore, këtë herë më shumë ishte obliguese nga UEFA, ndërsa pritet t’iu shërbejë të dy ekipeve shqiptare. Më pas më 15 nëntor Kosova luan në Lubjanë ndaj Sllovenisë, në kuadër të grupit të tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kampanjën në edicionin e dytë të kësaj lige të UEFA-s “dardanët” e mbyllin më 18 nëntor në Prishtinë, në ndeshjen ndaj Moldavisë.

Gjasat më të mëdha janë që Moldavia të mbetet e fundit në grup dhe të luajë në plejof për të shmangur rënien në Ligën D. Por pa rrezik nuk është as Kosova. Dy xhiro para fundit, grupit i prin Sllovenia me 10 pikë nga katër ndeshje. Greqia është e dyta me tetë pikë, ndërsa Kosova është e treta me vetëm dy pikë. E fundit është Moldavia me vetëm një pikë.

Kosova ka dhënë sinjale në ndeshjen e kaluar, barazimin pa gola ndaj Greqisë më 14 tetor në Athinë. Por për të kthyer optimizmin dhe besimin në Përfaqësuese duhen disa rezultate rresht.

Po ashtu, vlerësohet me shumë peshë rritja e bazës së lojtarëve, që Përfaqësuesja të mos varet nga individë kur në mars të vitit tjetër t’i luajë ndeshjet e para të kualifikimeve për Botëror.

Edhe në ndeshjet e këtij muaji Kosova nuk do të jetë e kompletuar, ashtu si nuk ishte në ndeshjet e tetorit, kur humbi rastin për kualifikim në Evropian.

Përfaqësuesja është grumbulluar në Durrës, ndërsa Challandes në stërvitjen e së hënës kishte në dispozicion lojtarët që nuk ishin të angazhuar në takimet e së dielës.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe te të gjithë ekziston dëshira e madhe që ky cikël të mbyllet me rezultate pozitive”, ka njoftuar FFK-ja.

Kosovës do t’i mungojnë Milot Rashica e Leart Paqarada, që nuk janë lejuar nga klubet të udhëtojnë. Florent Muslija është lënduar, ndërsa Benjamin Kololli është i suspenduar për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Ai ishte në listë, por FFK-ja ka thënë se ka një shqetësim të vogël dhe nuk është grumbulluar as për miqësore.

Ndaj Shqipërisë do të mungojnë edhe Valon Berisha e Idriz Voca për telashe fizike.

Në Përfaqësuese janë kthyer Amir Rrahmani, Vedat Muriqi e Bernard Berisha.

Edhe Shqipëria ka telashe me grumbullimin e lojtarëve të synuar. Lorenc Trashi nuk mund të udhëtojë nga Kuvajti, kurse pritet të mungojë edhe Marash Kumbulla, për shkak të masave të kufizimit në Romë. Për shkak të lëndimit mungon edhe Giacomo Vrioni. Erion Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci janë ftuar në vend të tyre. Ndaj Kosovës do të mungojë edhe Klaus Gjasula.