E fundit e vazos së parë. E parafundit e vazos së dytë dhe e parafundit e vazos së tretë. Shorti ka favorizuar përfaqësuesen e Kosovës në hendboll për kualifikimet për “Euro 2026”.
Kosova është në grupin e gjashtë së bashku me Holandën, Ishujt Faroe dhe Ukrainën. Holanda ishte e fundit në vazon e parë për shortin e tërhequr të enjten. Përfaqësuesja e Ishujve Faroe ishte e parafundit në vazon e dytë, njëjtë si Ukraina në vazon e tretë. Por, edhe Kosova ishte vetëm e parafundit në vazon e katërt.
Rrjedhimisht është prej grupeve më të lehta, në bazë të renditjes së përfaqësueseve nëpër vazo. Dhe Kosova e sheh rastin e vet në këtë grup.
Kosova e fillon kampanjën kualifikuese më 6 nëntor në udhëtim tek Ishujt Faroe. Më 9 nëntor luan në shtëpi ndaj favorites së grupit, Holandës. Pas një viti Kosova luan dy ndeshje me Ukrainën. Ukraina aktualisht ndeshjet si nikoqire i luan në terren neutral. Deri pak para se të niste lufta me Rusinë, Ukraina nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj. Rrjedhimisht ka shumë paqartësi për ndeshjen në udhëtim me Ukrainën, ndonëse është ende shumë herët.
Në maj të vitit të ardhshëm, Kosova e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe, ndërsa luan në udhëtim ndaj Holandës.
“Me Ukrainën duhet të fitojmë të dy ndeshjet. Ishujt Faroe po luajnë momentalisht hendboll të mirë. Por nëse jemi të kompletuar mund të fitojmë në Kosovë ndaj Ishujve. Holanda momentalisht është superekip. Por besoj se tri ndeshje mund t’i fitojmë. Ky edhe duhet të jetë synimi”, ka theksuar kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.
Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian, së bashku me katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë prej tetë grupeve sa janë gjithsej. Pra, më shumë përfaqësuese kualifikohen se që mbesin jashtë.
Kosova ka përvojën e kualifikimeve të rregullta, ndërsa ka shënuar edhe disa fitore të mëdha. Por Evropianit nuk i është afruar ende.
“Kemi një grup të hapur. Me këtë dua të them se kundërshtarët janë të nivelit të mirë, por mendoj që kemi edhe ne kualitetet tona, të cilat janë të një niveli të mirë. Këtë e kemi konfirmuar disa herë. Mendoj se ne e kemi për detyrë të jemi komplet dhe të japim 120 për qind nga dituria jonë. Unë mendoj që kemi kualitetet e duhura t’iu kundërvihemi gjithë kundërshtarëve. Mendoj se grupi është në nivelin dhe kualitetin tonë”, ka thënë selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.
Në raundin promovues të kualifikimeve për “Euro 2026” Kosova e eliminoi Britaninë e Madhe. Tani përballë do të ketë rivalë të nivelit dukshëm më të lartë.