Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Konfirmohet largimi i Gareth Balet nga Real Madridi

Sulmuesi uellsian, Gareth Bale, përfundimisht do të largohet nga Real Madridi në fund të këtij edicioni. Këtë e ka bërë të ditur agjenti i Bales, Jonathan Barnett, të hënën, ka raportuar “Marca”. Bale nga Reali do të largohet si lojtar i lirë, kurse karrierën pritet ta vazhdojë në Angli. 32-vjeçari ka pasur telashe të shumta këtë sezon te Reali dhe është kritikuar vazhdimisht për paraqitjet e dobëta.

Po ashtu, as trajneri Carlo Ancelotti nuk ka llogaritur në uellsianin, i cili në total ka regjistruar 290 minuta lojë për Realin në të gjitha garat këtë edicion, ku ka shënuar vetëm një gol. Ai sezonin e shkuar ishte i huazuar te Tottenhami, ekip prej të cilit Reali e pati transferuar në vitin 2013 për 101 milionë euro dëmshpërblim.

“Gareth Bale do të largohet nga Real Madridi. Ai do të kthehet në futbollin anglez sipas të gjitha gjasave, por mbetet të shihet për shkak se Bale është i fokusuar ta ndihmojë Uellsin të kualifikohet në Botërorin e këtij viti”, ka thënë Barnett.

Artikuj të ngjashëm