Komisioni për Vlerësimin dhe Licencimin e Federatave Sportive të Kosovës (KVLFS) në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka quajtur shpifje akuzat e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se ka shpërndarë dokumente që lidhen me licencim në adresë të klubeve dhe mediave. Komisioni i MKRS-së ka paralajmëruar padi në gjykatë nëse FFK-ja nuk e paraqet me fakte dhe argumente akuzën e bërë, sipas komisionit, po të mërkurën. Shkresën e gjatë prej katër faqesh e ka siguruar edhe KOHA. Komisioni i është drejtuar me këtë shkresë Agim Ademit, përfaqësuesit të autorizuar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ademi është kryetar i FFK-së.




“Në shkresën tuaj të datës 28 dhjetor 2022”, duke u përpjekur që përgjegjësinë rreth procesit të licencimit të FFK-së ta adresoni padrejtësisht tek KVLFS-ja, FFK-ja ka rrëshqitur rëndë edhe në shpifje duke konstatuar se KVLFS-ja vërejtjet dhe komentet për FFK-në dhe klubeve ua ka dërguar të gjitha klubeve dhe mediave. KVLFS-ja kërkon urgjentisht nga FFK-ja që të paraqesë të gjitha faktet dhe argumentet që ka në dispozicion për ta vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme këtë akuzë të rëndë. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar që të paraqesim denoncimin zyrtar tek gjykata kompetente për shpifje të rëndë ndaj KVLFS-së”, shkruan në shkresën e Komisionit drejtuar FFK-së.
Tutje në letër shkruan se FFK-ja i ka thënë Komisionit se ka pasur për qëllim të shfrytëzojë mediat dhe t’i shtyjë klubet e futbollit të dalin kundër udhëheqjes së FFK-së.
“Kush e konstatoi këtë qëllim të KVLFS-së? Si u konstatua kjo? Sa i paanshëm në këtë proces është ‘organi’ që e paska konstatuar këtë? Pse sërish shërbeheni me shpifje duke akuzuar KVLFS-në se ua ka përcjellë shkresën zyrtare mediave!?”, shkruan letra.
Komisioni ka ftuar se pas konstatimit të vërtetësisë kërkim-falja nuk do të mjaftojë, por procesi do të duhej të vendosej në rrugët gjyqësore, me akuza për shpifje të rënda.
Komisioni, po ashtu, paralajmëron FFK-në se më nuk do të kthejë shkresa elektronike në adresë të FFK-së, por do të merret vetëm me shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar që FFK-ja ka dërguar më 15 nëntor 2022 dhe dokumentacionin plotësues që Komisioni pret t’ia dërgojnë gjatë ditëve në vijim. Në shkresë i është bërë me dije se afati për plotësimin e dokumentacionit të Federatës skadon më 13 janar të vitit të ardhshëm, kurse për klubet 25 janar. Krahas Federatës, dokumentacion të pakompletuar kanë edhe 8 klube të Superligës. Komisioni i vë faj Federatës që me vonesë ka njoftuar klubet e saj.
“Në vend se FFK-ja ta përcjellë menjëherë tek tetë klubet e Superligës së futbollit shkresën e KVFLS-së të datës 9 dhjetor 2022, ajo këtë e ka bërë vetëm më datë 22 dhjetor 2022, duke ua humbur atyre në këtë mënyrë 13 ditë të kohës së nevojshme për klubet e Superligës për plotësimin e dokumentacionit përkatës. Rrjedhimisht, për çdo vonesë në këtë drejtim përgjegjësia duhet të kërkohet vetëm në FFK dhe askund tjetër”, shkruan në letrën e Komisionit dërguar FFK-së.
Federata pritet të mos pajisjet me licencë këtë vit. Asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet për federatat dhe klubet që nuk janë pajisur ende me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Nuk do të marrin vërtetime derisa federatat të pajisjen me licencë. Kështu i ka rekomanduar të mërkurën Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës, Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit. Të martën licencat i morën Federata e Basketbollit e Kosovës, Federata e Volejbollit e Kosovës dhe Federata e Atletikës së Kosovës. Më herët janë licencuar gjashtë federata. Tani numri i federatave të licencuara është nëntë gjithsej. Pra, rreth një e katërta e federatave kanë licencë aktualisht. Federatat e pingpongut, xhudos, hendbollit, sportit shkollor, mundjes e triatlonit janë licencuar më herët.