Kombëtarja e Shqipërisë do të futet në fushë për ndeshje ndaj Lituanisë me vetëm një synim – fitoren. Kështu ka insistuar kapiteni i Shqipërisë, portieri Etrit Berisha, në konferencën për shtyp të mbajtur të martën.
Shqipëria të mërkurën (sot), në Vilnius, prej orës 18:00, do të përballet me Lituaninë në kuadër të grupit të tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve. Me Lituaninë Shqipëria do të luajë pas barazimit pa gola që e pati të dielën në udhëtim kundër Kazakistanit.
Pas tri ndeshjeve të luajtura në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Shqipëria ka tubuar katër pikë, sa i kanë edhe përfaqësueset e tjera të këtij grupi.
Muajin e shkuar Shqipëria pësoi humbje nga Lituania (1:0) në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Berisha ka thënë se në Vilnius do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe, në të cilën “kuqezinjtë” duhet të japin maksimumin për të arkëtuar tri pikët. Ai ka pranuar se kjo nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ka shtuar se kombëtarja është e gatshme për fitoren e dytë në grup. Të parën e arriti ndaj Bjellorusisë më 4 shtator.
“Mendoj që Lituania luajti mirë në ndeshjen e parë. Taktikisht ka luajtur mirë dhe na ka vënë në vështirësi, por ndoshta edhe ne nuk e kemi bërë ndeshjen më të mirë. Megjithatë, tani vjen ndeshja e radhës në të cilën ne duhet të jemi jashtëzakonisht të përqendruar dhe të përgatitur. Kjo është një ndeshje kyç për rrugëtimin tonë, që duhet ta fitojmë”, është shprehur Berisha. “Të gjithë e kemi parasysh rëndësinë e ndeshjes që na obligon të japim 110 për qind për të arritur objektivin tonë, fitoren. Kundër Lituanisë kemi humbur dhe nuk duhet të lejojmë që ata të marrin epërsinë”.
Berisha ka folur edhe për futbollistët e rinj që këtë muaj janë ftuar te Shqipëria pas mungesave të shumta dhe ka thënë se ata kanë cilësi, por iu duhet kohë për t’u ambientuar. Sipas tij, janë lojtarët me përvojë ata që duhet t’i ndihmojnë të rinjtë në të gjitha mënyrat për shkak se kështu përfiton i gjithë ekipi.