Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kolollit i mjaftojnë pak minuta për t’i bërë për vete tifozët e Baselit

Benjamin Kololli e ka veshur fanellën e Zuerichut 92 herë. Logjikisht, e kaluara e tij u bë çështje pasi 32-vjeçari firmosi me Baselin, skuadrën rivale të Zuerichut. Por ai fitoi qetësinë dhe përkrahjen shumë shpejt.

Të shtunën shënoi gol me goditje të bukur nga zona për fitoren 1:0 të Baselit ndaj Young Boysit, skuadrës më të fortë në Zvicër. Ishte fitorja e parë e Baselit ndaj Young Boysit që nga qershori i vitit 2020.

“Nuk kam fjalë. Ishte një prej ndjenjave më të mira në karrierën time”, ka thënë Kololli për golin e parë me Baselin, shkruan “Blick” të dielën.

Kthimi i Kolollit në Zvicër nga Japonia u përcoll me raportime të ndryshime. Ka pasur sulme ndaj tij në rrjete sociale për një deklaratë që e kishte dhënë shumë vjet më parë. Ai u akuzua për homofobi.

Ndaj Young Boysit lojtari i krahut dëshmoi se është përforcim i duhur për Baselin. Mirë ishte shfaqur edhe ndaj Zuerichut javën e kaluar, në debutim në Superligë me Baselin.

Edhe Kololli e kritikon Baselin Futboll Kololli e kritikon Baselin

“Nuk kam qenë asnjëherë i interesuar për fjalët që ishin. Në fund të ditës është paraqitja në fushë ajo që vlen”, ka shtuar Kololli.

Ai e festoi golin para tifozëve të zjarrtë të Baselit. Kur u zëvendësua nga Taulant Xhaka mori duartrokitje nga tifozët në stadium. Kjo e ka gëzuar kosovarin. Ai nuk e ka ditur se si do të pritet nga tifozët e Baselit.

Ndërkohë Kololli nuk ka mundur të festojë menjëherë me trajnerin Fabio Celestini. Ai ishte i suspenduar dhe nuk ishte në stol. Kololli ka thënë se edhe për shkak të trajnerit ka përfunduar te Baseli.

“Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme nga i gjithë ekipi dhe tifozët ishin fantastikë po ashtu. Jam ndier si në shtëpi këtu dhe shumë komod. Trajneri më jep shumë besim. Ishte kënaqësi të festoja golin para tifozëve. Për shkak të tifozëve është dukur se po luajmë me 12 lojtarë”, ka theksuar Kololli.

Edhe Kololli transferohet te Sioni Futboll Kololli transferohet te Sioni

Tifozët e Baselit kishin rezerva për Kolollin, por tashmë kanë mendim ndryshe.

“Dhe përnjëherë ne të gjithë po e duam Kolollin”, ka shkruar një tifoz.