Ronald Koeman ka thënë të premten se askush prej krerëve të Barcelonës nuk ka folur me të për të ardhmen e tij, por ka pranuar se spekulimet për shkarkimin e tij sipas të gjitha gjasave mund të jenë të vërteta.
Mediumet spanjolle vazhdimisht kanë shkruar ditët e fundit se Koeman do të shkarkohet nga pozita e trajnerit pas humbjes 3:0 në Ligën e Kampionëve në udhëtim te Benfica të mërkurën mbrëma.
Kjo ishte humbja e dytë e Barçës në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion në Champions.
“Është situatë e komplikuar”, ka thënë Koeman një ditë para duelit me Atletico Madridin. “Presidenti ishte këtu në mëngjes, por nuk e kam parë sepse isha duke u përgatitur për ndeshjen. Askush nuk më ka thënë asgjë, por kam sy dhe veshë dhe e di që gjërat po dalin nga klubi. Spekulimet sipas të gjitha gjasave janë të vërteta, por askush nuk më ka thënë ende asgjë”, ka vazhduar ai.