Emmanuel Mudiay e nënvizoi paraqitjen e tij me 28 pikë të shënuara, dhe New York Knicks e shkriu disavantazhin e 11-të pikëve në çerekun e katërt dhe e mposhti Los Angeles Lakers, 124:123.
Damyean Dotson për skuadrën e Knicksit kontribuoi me 25 pikë, kurse Kevin Knox shtoi 19 të tjera. Knicks përfitoi edhe nga forma e jashtëzakonshme e çerekut të parë, ku realizoi plot 41 pikë, dhe fitoi për herë të parë që prej 26 shkurtit, transmeton KTV.
LeBron James nga ana tjetër, nuk arriti ta ndihmojë skuadrën e tij Lakers ta shmangë humbjen, pavarësisht se për 35 minuta realizoi 33 pikë, 6 kërcime e 8 asistime.
Gjithashtu, rezervisti Lou Williams qëlloi me saktësi për tre pikë krejt në fund të duelit, dhe nikoqiri Los Angeles Clippers fitoi 119:116 ndaj Brooklyn Nets.
Kjo ishte një prej fitoreve më dramatike të kalifornianëve këtë sezon, ndërsa kundër Brooklynit ishte triumfi i shtatë në tetë ndeshjet e fundit.
Për Williamsin ishte hera e parë në karrierë që ishte vendimtar në një sukses të tillë, derisa ballafaqimin e mbylli me 25 pikë, 11 prej të cilave në çerekun e katërt.
Ndihmë të madhe në fitore dhanë edhe Danilo Gallinari dhe Montrezl Harrell me 20 pikë secili. E nga ana tjetër, më i dalluari mbi parket te Brooklyni ishte D’Angelo Russell me 32 pikë, por të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen.
Ndërkaq, Chris Paul, Clint Capela dhe James Harden regjistruan dyshifror të dyfishtë, dhe vendësit e Houston Rockets me formë të shkëlqyer në çerekun e tretë, shkëlqyen me fitoren ndaj Minnesotas, 117:102, përcjell KTV.
Paul shënoi 25 pikë e 10 asistime, Capela 20 pikë e 13 kërcime, ndërsa qendra e Timberwolvesit dhe All-Starit te ekipi i kundërshtarëve, u dallua me 22 pikë, 10 kërcime e gjashtë asistime.
Rockets njëherësh e përmirëson formën pas pushimit të All-Starit dhe tani ka 11 fitore e dy humbje.
Në anën tjetër, me 40 pikë e 15 kërcime, Joel Embiid ishte dominues në duelin që Philadelphia 76ers e mposhti Milwaukee Bucks, 130:125.
Ky ishte dyshifrori i dyfishtë i 52-të dhe është hera e 25-të që ai shënon të paktën 30 pikë e 10 kërcime në një ndeshje. I vetëm, qendra Embiid në çerekun e katërt shënoi 18 pikë.
Jimmy Butler ndërkohë shënoi 27 pikë e JJ Redick shtoi 19-të të tjera për Sixers, që fiton për herë të katërt rresht, dhe zyrtarisht e zë një vend në Play-Off.
E lojë të shkëlqyer nga ana tjetër pati edhe qendra Giannis Antetokounmpo i Milwaukee Bucksit, që regjistroi 52 pikë, më së shumti në karrierën e tij, duke shtuar edhe 16 kërcime e shtatë asistime.