Rreth katër milionë euro është shuma e humbur nga klubet e futbollit, nga dhjetori e tutje, shkaku që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk është pajisur ende me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Kështu ka mësuar KOHA nga burimet e saj të enjten.
Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga dhjetori nuk lëshoi asnjë vërtetim për sponsorizime për shkak se FFK-ja nuk plotësoi kriteret për licencim.
FFK-ja ende nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja dhe klubet e futbollit vazhdojnë ta kenë të pamundur të marrin vërtetimet, përkatësisht të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.
FFK-ja ka aplikuar për licencim, por nuk e ka marrë ende licencën. Është në proces. Dokumentacioni po shqyrtohet nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës.
FFK-ja dhe klubet e saj kanë bërë më së shumti kërkesa për sponsorizime. Vlerësohet që shifra të shkojë deri rreth katër milionë euro.
“Të gjitha kërkesat që janë bërë nga dhjetori deri në mars nuk do të merren parasysh, pasi dihet që më 31 mars është data e fundit e mbylljes së vitit kalendarik. Ka mundur të jetë edhe më e lartë shuma, por klubet janë tërhequr pasi kanë parë që Federata e Futbollit e Kosovës nuk është afër plotësimit të dokumentacionit për t’u pajisur me licencë. Komisionet pranë MKRS-së nuk janë duke i trajtuar vetëm dokumentacionet e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe klubeve të saj, por edhe të federatave tashmë të licencuara dhe atyre që kanë dorëzuar dokumentacionet për licencim apo edhe për të marrë vërtetimet për të përfituar nga sponsorizimi”, ka thënë për KOHËN një zyrtar në kushte anonimiteti.
Federatat dhe klubet, në veçanti të futbollit, burimin kryesor të të hyrave e kanë nga sponsorët. Ligji ka hyrë në fuqi më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Për shkak të ndërlikimeve të shumta nuk ishte zbatuar prej fillimit.
Ka disa ditë që disa zyrtarë të klubeve, përkatësisht trajneri i Llapit, Tahir Batatina, së bashku me koordinatorin e Trepçës, Avni Haxhiu, dhe zyrtarin e 2 Korrikut, Shaban Baholli, kanë nisur një iniciativë për t’u interesuar rreth mundësisë së përfitimit nga sponsorizimet, ndonëse FFK-ja nuk është e licencuar ende.
Licencimi i FFK-së mund të shtyhet ende. Në takimet e ftuara nga Batatina, Haxhiu dhe Baholli nuk kanë marrë pjesë në të gjitha klubet. Kanë munguar shumë klube të Superligës.