Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) po insiston në licencimin e Federatës dhe të klubeve në afatin sa më të shpejtë të mundshëm. Komiteti Ekzekutiv vlerëson se FFK-ja ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, që është organ i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Por me vlerësimin e Komitetit Ekzekutiv nuk pajtohen disa klube të Superligës. Madje prej disa klubeve kërkohet edhe largimi i anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dhe sekretarit Taulant Hodaj, me arsyetimin se kanë qenë të paaftë për ta licencuar Federatën.
FFK-ja është federata e vetme e madhe që ende nuk është licencuar, ndërsa shkaku i këtij moslicencimi kanë pësuar edhe klubet e futbollit të cilat nuk po mund të pajisen me vërtetime për sponsorizime.
Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim nga muaji dhjetor nuk ka lëshuar asnjë vërtetim për klubet shkaku që FFK-ja nuk i ka plotësuar kriteret për licencim. Rreth katër milionë euro është shuma e humbur nga klubet e futbollit, nga dhjetori e tutje, shkaku që FFK-ja nuk është pajisur ende me licencë nga MKRS-ja.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka diskutuar për çështjen e licencimit. Në njoftim thuhet se KE-ja ka konstatuar se FFK-ja qysh më 9 shkurt i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni i MKRS-së, i cili po ashtu është njoftuar edhe nga FIFA se Statuti i Federatës është në përputhje me atë të Shtëpisë Botërore të Futbollit.
“Komiteti Ekzekutiv u informua se edhe pjesa dërrmuese e klubeve, mbi 50%, i kanë plotësuar kriteret e kërkuara për licencim dhe i kanë dërguar të gjitha dokumentet më 28 shkurt. Të tjera klube vazhdojnë t’i dërgojnë dokumentet në vazhdimësi”, thuhet, ndër të tjera, në njoftim.
Komisioni i MKRS-së nuk ka vlerësuar se dokumentacioni është i kompletuar dhe për këtë nuk ka lëshuar ende licencën.
Për të kërkuar sqarime shtesë, një pjesë e klubeve të futbollit të hënën pasdite në selinë e FFK-së janë takuar me sekretarin e FFK-së, Taulant Hodaj, dhe me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Në takim u është bërë e ditur se sekretari Hodaj ka pasur një takim të hënën me zëvendësministren e MKRS-së, Daulina Osmani.
“Na treguan se sekretari Taulant Hodaj është takuar me zëvendësministren Daulina Osmani, e cila ka premtuar se shpejt do të marrin vërejtjet se cilat klube kanë probleme. Sekretari me bindje thotë se ajo që është kërkuar nga Komisioni, Federata e ka plotësuar më 9 shkurt, kurse më 28 shkurt e ka dërguar gjithë folderin me dokumente të plotësuara”, ka thënë koordinatori i klubit Trepça, Avni Haxhiu.
Haxhiu, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, dhe zyrtari i 2 Korrikut, Shaban Baholli, kanë nisur një iniciativë për t’u interesuar rreth situatës me licencim të FFK-së dhe mundësisë së përfitimit nga sponsorizimet.
Në takimin në Federatë kanë qenë zyrtarët e Ballkanit, Llapit, Ferizajt, Dukagjinit, Drenicës dhe Gjilanit, prej klubeve elitare. Prej Superligës ftesës nuk i janë përgjigjur Prishtina, Drita, Trepça ’89 dhe Malisheva.
Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, pret që nënkryetari apo ndonjë anëtar tjetër i FFK-së t’i ftojë për takim.
“MKRS-ja ka qenë e qartë se cilat janë kriteret, dhe ato nuk janë plotësuar nga FFK-ja dhe nga organet e zgjedhura. Kërkohet largimi i anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv bashkë me sekretarin, i cili ka qenë përgjegjës kryesor për kompletimin e dokumentacionit dhe përmbushjes së kërkesave. Nuk është normal të rrezikohet komplet gara dhe ajo që është punuar dhe investuar deri tash për shkak se individë të caktuar nuk duan ose nuk dinë të kryejnë punën e vet dhe nuk marrin vendime që duhen marrë”, ka thënë Osmani.
Ai insiston se MKRS-ja ua ka ofruar ndihmën dhe kohën e mjaftueshme për t’i shkuar në fund procesit. Osmani ka theksuar se si klub janë që sa më shpejt të përfundojë procesi i licencimit.
Kritikë janë edhe te Trepça ’89.
“Ka katër vjet që kam thënë se Komiteti Ekzekutiv është shkaktari kryesor që futbolli nuk ecë përpara, pasi ata (anëtarët e KE) janë njerëz që e duan shkatërrimin e futbollit. Nuk është në rregull që ne klubet që i kemi plotësuar kriteret të dëmtohemi. Ata janë për interesa personale, nuk dinë asgjë për futbollin. Iu interesojnë shëtitjet e tyre dhe mëditjet. Nëse vazhdon kjo ecuri që është tash, futbolli do të shpartallohet. Sa i takon sekretarit, nëse ky është bërë sekretar, edhe pse nuk e di si është bërë pa miratimin tonë. Nëse është bërë, pse nuk na fton të na shpjegojë. Ky person vitin e shkuar ka thënë se jemi të gatshëm dhe brenda 5 ditëve do të licencohemi”, ka thënë kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.
Edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, thotë se dikush duhet ta marrë përgjegjësinë.
“Dikush duhet të japë përgjegjësi për këto humbje që po na shkaktohen. Duke pasur parasysh këto amulli, hallakama dhe dezinformatat e panevojshme, mendoj se Federata duhet t’i ftojë klubet e Superligës dhe pastaj të dalim me një deklaratë se çka duhet të bëjmë tutje. Tani gjithçka është e mbaruar sa i përket licencimit dhe mund të na zërë qershori. Është dashur të nisim më herët në dhjetor apo në janar dhe jo tani, pasi vetëm tash e kanë kuptuar se Ministria e paska seriozisht”, ka thënë Zymberi.
Federatat dhe klubet, në veçanti të futbollit, burimin kryesor të hyrave e kanë nga sponsorët. Ligji ka hyrë në fuqi më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020.
Në takimet në FFK dhe për licencim po mungon kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai është në arrest shtëpiak për një muaj.