Trepça, Trepça ’89, Vëllaznimi e Drenica janë ndër skuadrat me traditë në Kosovë. Nuk u mungojnë as sukseset.
Por më lart se katër skuadrat me emër në Kosovë, në Ligën e Parë – Grupi A, janë dy klube me histori të shkurtër. Bëhet fjalë për Dinamon e Ferizajt dhe Suharekën. Kjo e fundit u formua si skuadër në qershor të këtij viti, kurse Dinamo në vitin 2006. Synimet e dy skuadrave që mbajnë vendet një dhe dy janë të mëdha.
Dinamo e mbylli si kampione stinorin vjeshtor të Ligës së Parë – Grupi A. Dinamo është në vendin e parë me 30 pikë, kurse shtatë pikë më pak në vendin e dytë i ka Suhareka. Pastaj janë Trepça ’89, Drenica, Trepça dhe Vëllazimi.

Drejtori i klubit Dinamo, Genc Hyseni, thotë se nuk kanë besuar se do ta mbyllin vitin si kampion vjeshte.
“Kemi kërkuar të jemi në pjesën e lartë të tabelës, por nuk e kemi menduar se do të kemi një sezon të shkëlqyer dhe do ta mbyllim në vendin e parë me shtatë pikë dallim. Këtë e them duke u bazuar në ekipin e ri dhe me pak përvojë. Nuk e kam pritur që do ta mposhtim Suharekën në udhëtim e po ashtu edhe Trepçën ’89, Vëllaznimin dhe disa skuadra tjera që janë emra të mëdhenj në futbollin e Kosovës”, ka thënë Hyseni.
Ish-futbollisti i disa klubeve në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri pret që ekipi i Dinamos të garojë edicionin e ardhshëm në Superligë.
“Po punojmë çdo ditë duke iu falënderuar donatorëve që po na përkrahin. Na pret një stinor tjetër i vështirë, por me ardhjen e lojtarëve të rinj, në fund presim t’i gëzohemi Superligës. Kemi disa lojtarë me potencial që i shoh si e ardhmja e futbollit. Po ashtu, jam në koordinim me trajnerin për disa prurje të reja”, ka theksuar Hyseni.
Dinamo ka nëntë fitore, tri barazime e dy humbje. Dinamo ka kaluar tutje edhe në garën për Kupë. Eliminoi ish-kampionen e Kosovës, Vushtrrinë.
“Synimi ka qenë të përfundojmë në mesin e 3-4 ekipeve të para, por gjatë rrugës ambiciet tona ndryshuan marrë për bazë rezultatet që i kemi arritur ndeshje pas ndeshjeje. Ky sukses është si rezultat i punës së përbashkët, kryesi, trajnerë, lojtarë. Kryesia është e organizuar, ndërsa ne stafi dhe lojtarët po e kryejmë punën tonë në fushë. Besoj se me 4-5 përforcime do ta mbyllim me sukses këtë garë, ndonëse vetëm një pjesë e punës ka përfunduar”, ka thënë trajneri i Dinamos, Burim Qerkini.
Garën për Kupë e ka vazhduar edhe Suhareka, që eliminoi ish-kampionen, Trepçën.
Suhareka është skuadër e formuar në qershor, ndërsa nisi garimin direkt në Ligën e Parë falë fuzionimit me klubin A&N.
Klubi i Suharekës vlerësohet të jetë goxha stabil si për nga organizimi ashtu edhe nga ana financiare. Trajner i kësaj skuadre është Arsim Thaqi, i cili ka përvojë të gjatë me klubet e Kosovës. Thaqi vlerëson organizimin e klubit.
“Ideja ka qenë ndoshta që të nisin nga Liga e Dytë, por u bë më pas fuzionimi me A&N. Planet pastaj kanë ndryshuar. Jam qe një muaj këtu dhe është zor kur një trajner krijon ekipin dhe pastaj pjesën tjetër duhet ta vazhdosh me lojtarët që ke në dispozicion. Por në dy ndeshjet e fundit kanë treguar nivel krejt tjetër ku lojtarët i kanë marrë ndeshjet me seriozitetin më të lartë duke bërë lojëra të mira. Kemi një diferencë të pikëve me vendin e parë, por besoj se duhet të përmbyset gjatë stinorit pranveror me vetë faktin se kemi mundësi të marrim lojtarë të rinj. E rëndësishme është që klubi më qëndron prapa dhe se ka ambicie të mëdha”, ka thënë Thaqi.
Thaqi zbulon edhe më shumë nga planet që kanë drejtuesit e klubit Suhareka.
Ai thotë se Suhareka planifikon të krijojë një akademi futbolli.
Nga qyteti i Suharekës është edhe kampioni i Kosovës, Ballkani.
“Është klub i organizuar. Organizimit i besoj. I besoj edhe eksperiencës që kemi. Kemi edhe mungesa sa i përket grupit që duhet plotësuar gjatë afatit kalimtar. Besoj se do të jetë kohë e mjaftueshme për të krijuar një ekip shumë konkurrues. Në fillim të janarit besoj se do të zhvendosemi në Antalia për fazën përgatitore. Duke i besuar edhe përvojës sime, ku me Malishevën kemi siguruar ngritjen në Superligë, besoj fuqishëm se do të jemi në Superligë vitin e ardhshëm”, ka thënë Thaqi.
Në Grupin B të Ligës së Parë, Vjosa është kampione vjeshtore, ndërsa në vendin e dytë është Prishtina e Re. Skuadra më me nam janë poshtë tyre.