Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, është i vendosur të sigurojë që skuadra e tij të mbahet mend për arritjet e mëdha. Ai kërkon që Liverpooli mos të humbasë mundësitë për të fituar trofe, ndërsa përgatitet për finalen e Kupës së Ligës kundër Chelseat, që luhet të dielën.
Ndeshja në stadiumin “Wembley” zhvillohet nga ora 17:30, kurse i ofron gjermanit mundësinë për të shtuar numrin e trofeve te Liverpooli pas atyre të Ligës së Kampionëve, Premier Leagues dhe Botërorit të klubeve, që i ka fituar prej se arriti në “Anfield Road” në vitin 2015.
Klopp ka qenë gjithashtu një finalist humbës në tri raste që nga ajo kohë. Liverpooli u mund në finalen e Kupës së Ligës në vitin 2016 dhe Ligës së Evropës, përpara se të humbte në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019. Gjithashtu, Liverpooli e humbi për pak edhe titullin e kampionit në Premier League, ku doli nënkampion.
Dhe Klopp, që ndoshta po menaxhon ekipin më të mirë të Liverpoolit që nga mesi i viteve 1980-a, është i etur që të arrijë edhe më shumë suksese, duke filluar nga Kupa e Ligës.
“Ne të gjithë e dimë se për momentin njerëzit janë vërtet të lumtur me këtë ekip”, tha Klopp të premten. “Por pas 20 vjetësh, nëse doni të flisni për këtë ekip, nuk do të habitesha nëse njerëzit do të thoshin, nëse nuk fitojmë më asgjë, se ne ishim ekip i mirë por nuk fituam shumë trofe. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përpiqemi tani t’i fitojmë disa trofe. Dhe shansi tjetër, shansi më i mirë që kemi, është këtë fundjavë. Është kundër Chelseat që është një ekip i fortë dhe e bën këtë finale të ndërlikuar”.
Edhe
Klopp: Eliminimi nga Liga e Evropës mund ta ndihmojë Liverpoolin të përqendrohet në ligë
Klopp është kritikuar në të kaluarën për shkak se dukej që nuk ishte i interesuar për Kupën e Ligës.
Këto dyshime shtoheshin edhe më shumë me disa nga përzgjedhjet e ekipit të tij, që i bënte për ndeshjet e kësaj gare. Por ai prapë e çoi Liverpoolin në gjysmëfinale në vitin 2017 dhe në çerekfinale në vitin 2020.
Trajneri gjerman mohoi se kishte një qasje pak më ndryshe ndaj Kupës së Ligës. Madje ai tha se ishte i detyruar të bënte përzgjedhje të tilla për shkak të orarit të ngarkuar.
“Unë nuk mendoj se ne ndonjëherë mund të ishim rreshtuar ndryshe në ndeshjet specifike, duke marrë parasysh intensitetin dhe orarin e ngjeshur që e kishim. Unë thjesht përpiqesha të bëjë një ekip me lojtarët që ishin më pak të lodhur, jo që e nënvlerësoja garën”, ka insistuar Klopp. “Zakonisht ne eliminohemi në dhjetor dhe është një kohë kur luajmë çdo tri ditë. Mirëpo tani jemi në finale dhe synimi është që ta rrëmbejmë këtë trofe”.
Edhe
Klopp: Humbja 3:0, plotësisht e merituar
Liverpooli për ndeshjen finale do të jetë pa dy sulmuesit, Roberto Firmino e Diogo Jota. Si Firmino, ashtu edhe Jota nuk kanë arritur të rikuperohen nga lëndimet.
“Të përballesh me ekipin që drejtohet nga Juergen Klopp është një kënaqësi e madhe, sepse duhet të bësh një paraqitje madhështore për rezultat të mirë. Ndoshta Liverpooli është favorit në këtë ndeshje me 55 për qind, bazuar në formën dhe rezultatet e fundit. Është një sfidë e madhe, por jemi të gatshëm dhe jam i bindur se kemi potencialin për të marrë atë që duhet në këtë takim”, tha trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel.