Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka thënë se edhe shtatë lojtarë të tjerë të skuadrës së tij kanë mundur të zënë vend në skuadrën e stinorit të Premier Leagues sipas Asociacionit të Futbollistëve Profesionistë (PFA). Ai insiston se Liverpooli është skuadra e stinorit.
Në skuadrën e stinorit, të publikuar të enjten, u përfshinë katër lojtarë të Liverpoolit: Andrew Robertson, Trent-Alexander Arnold, Virgil van Dijk dhe Sadio Mane, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Manchester City u përfaqësua me gjashtë lojtarë, ndërsa Manchester Unitedi me Paul Pogban.
“Kanë mundur të jenë katër, pesë, gjashtë apo edhe shtatë lojtarë të tjerë. Ata kanë luajtur një stinor të jashtëzakonshëm në aq shumë momente. Për mua, Liverpooli është skuadra e stinorit”, ka deklaruar Klopp. Analistët e BBC-së, Gary Lineker, Alan Shearer dhe Jimmy Floyd Hasselbaink kanë vlerësuar se Pogba nuk është dashur të jetë në formacionin e stinorit.
Sulmuesi egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah, dhe gabonezi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, që kanë shënuar nga 19 gola këtë stinor, kanë mbetur jashtë përbërjes, siç kanë mbetur edhe Harry Kane i Tottenhamit e Eden Hazardi i Chelseat që kanë shënuar 17, përkatësisht 16 gola.
“Mo Salah e meritonte të ishte aty. Ai është top-golashënues dhe ka shënuar aq shumë gola të rëndësishëm për ne. Gini Wijnaldum ka luajtur një stinor të jashtëzakonshëm po ashtu. Jordan Henderson është në një formë shumë të mirë, kështu që nëse do të votonin për formë aktuale, ai duhet të ishte aty”, ka thënë Klopp.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)