Trajnerët e skuadrave të Premier Leagues po humbin punën e tyre me ritëm të shpejtë dhe kjo po e bën gjermanin Juergen Klopp të mos ndihet aspak rehat.
“Elefanti në dhomë”, tha të hënën trajneri i Liverpoolit, “është arsyeja pse unë jam ende ulur këtu në këtë botë të çmendur. Unë jam njeriu i fundit në këmbë”.
Ky është një sezon i Premier Leagues si asnjë tjetër për sa u përket ndryshimeve të trajnerëve. E diela shënoi shkarkimet e Brendan Rodgersit nga Leicester City dhe Graham Potterit nga Chelsea. Kjo do të thotë se ka pasur 13 largime të trajnerëve këtë sezon – rekord për Premier League. Dymbëdhjetë trajnerë janë shkarkuar - gjithashtu rekord - me Brightonin që i është dashur vetëm të ndryshojë trajnerin sepse Potter u largua nga klubi për të marrë drejtimin e Chelseat në shtator të vitit të shkuar. Numri më i lartë i mëparshëm i shkarkimeve në një sezon të vetëm ishte 10 në secilin prej edicioneve 2008-09, 2013-14, 2017-18 dhe 2021-22, sipas ofruesit të statistikave, Opta.
“Është në fakt një numër i tmerrshëm”, tha Klopp, i cili gjithashtu vuri në dukje se Bayern Munichu ndërroi së fundmi trajnerin në Gjermaninë e tij të lindjes. “Është e qartë se disa klube nuk kanë arritur sukses këtë vit. Sidomos kur je në një betejë për rënie, të gjithë e dimë se sa do të thotë kjo nga pikëpamja financiare për klubet. Dhe mund të thuash gjëra të ngjashme për të qenë në Ligën e Kampionëve ose jo në Ligën e Kampionëve. Ka pritshmëri dhe nëse nuk i arrin ato duhet të pranosh vendimet”.
Klopp është trajneri më jetëgjatë në Premier League. Ka qenë në krye të Liverpoolit që nga tetori i vitit 2015 dhe po kalon një nga periudhat më të vështira në klub. Paraqitja e fundit përulëse ishte në udhëtim te Manchester City, ku Liverpooli u mund 4:1 të shtunën. Kjo paraqitje e ekipit u përshkrua nga Klopp si e “papranueshme”. Humbja e la Liverpoolin në vendin e tetë, me tetë pikë larg vendeve që sigurojnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Klopp pret një tjetër ndeshje të vështirë të martën kur Liverpooli e viziton skuadrën e Chelseat, që këtë herë do të drejtohet nga trajneri i përkohshëm Bruno Saltor.
“Jam shumë i sigurt se Chelsea dëshiron të shfaqë një reagim”, tha Klopp. “Kur patë ndeshjen e Bayernit kundër Borussia Dortmundit, shikuat gjithashtu një reagim për çfarëdo arsye. Është një javë e çuditshme. Sezoni ka hyrë në një pjesë vendimtare dhe njerëzit kanë frikë se mos nuk do t’i arrijnë objektivat e tyre”.
Për të ardhmen e tij, trajneri gjerman tha se Liverpooli ka “pronarë të zgjuar", por nuk i pëlqente fakti që ai ishte ende në punë për shkak të suksesit të tij të mëparshëm me klubin.
“E di gjithashtu se jam ende këtu për shkak të asaj që ka ndodhur në vitet e fundit, nuk më pëlqen fakti që duhet të mbështetem në këtë. Por ne duhet ta rregullojmë atë, pasi ne nuk mund të vazhdojmë të luajmë siç bëjmë herë pas here”, tha Klopp. “Jam shumë i zhgënjyer këtë sezon, por ndodh dhe ne duhet të gjejmë një rrugëdalje sa më shpejt”.
55-vjeçari ka kontratë me Liverpoolin deri në verën e vitit 2026 dhe ndër sukseset më të mëdha që i ka përjetuar me këtë klub është triumfi në Ligën e Kampionëve dhe në Premier League.