Sport

Kloppi thotë se Arsenalit po i shpaguhet besimi në Artetan

juergen klopp

Në një sezon me kaq shumë ndryshime të trajnerëve në Premier League, Juergen Klopp, thotë se Arsenali është një shembull i mirë i asaj që mund të ndodhë kur një klub tregohet i durueshëm. Mikel Arteta do ta udhëheqë ekipin e tij, Arsenali, që është në vendin e parë në tabelë në ndeshjen në udhëtim ndaj Liverpoolit të dielën, ndërsa “Topçinjtë” përpiqen të bëjnë edhe një hap më afër për të kapur atë që do të ishte titulli i parë në Premier League që nga viti 2004. Dueli mes Liverpoolit dhe Arsenalit nis në orën 17:30 dhe është i fundit në kuadër të xhiros së 30-të.

“E di që njerëzit kërkojnë gjithmonë kohë për trajnerët. Unë me të vërtetë mendoj se Mikeli e meritonte çdo minutë prejse mori drejtimin e Arsenalit, edhe kur gjërat nuk po shkonin mirë”, tha trajneri i Liverpoolit, Klopp, të premten në konferencën për shtyp. “Në fillim, ndoshta hapat nuk ishin mjaftueshëm të mëdhenj për disa njerëz, por tani Arsenali është lider dhe durimi me Mikelin po i shpaguhet”.

Shkarkimi i Graham Potter nga Chelsea të dielën e shkuar ishte largimi i 13-të i trajnerit këtë sezon – numri më i madh në historinë e ligës. Të gjithë shkarkimet, përveç njërit - dorëheqja e Potteri nga Brightoni - ishin të lidhura me performancën e dobët. Arteta mori drejtimin e Arsenalit në dhjetor të vitit 2019 dhe e udhëhoqi ekipin drejt vendit të tetë në tabelë. Megjithatë, fillimi i sezonit të kaluar ishte i vështirë. Për herë të parë në historinë e klubit, Arsenali filloi një sezon me tri humbje dhe asnjë gol të shënuar. Londinezët hynë në një pushim ndërkombëtar pas një humbjeje 5:0 në udhëtim te Manchester City përpara se të riktheheshin për të përfunduar në pozitën e pestë. Tani, Arsenali mban një epërsi prej tetë pikësh ndaj Cityt, i cili luan me klubin e fundit në Premier League, Southamptonin të shtunën.

“Mikeli po e ndërton këtë ekip prej disa vjetësh. Natyrisht që rezultati është mjaft mbresëlënës”, tha Klopp, i cili në sezonin e tij të shtatë është aktualisht trajneri më jetëgjatë në ligë. “Mënyra se si Arsenali luan është argëtuese për t'u parë. Është futboll super i gjallë, vërtet i mirë, lojtarë të mirë në fushë, plane të mira ndeshjesh. Nuk është saktësisht ajo që mund të thoni për ne për momentin”.

Një ecuri prej tri ndeshjesh pa fitore në kampionat e ka lënë Liverpoolin në vendin e tetë në tabelë dhe 10 pikë prapa nga vendi të katërt, i cili është i fundit që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëvepër sezonin tjetër. Klopp mund ta ketë mesfushorin Thiago Alcantara të rikthyer nga një problem i kofshës për duelin me Arsenalin, por kthimi i sulmuesit të krahut, Luis Diaz, nga një dëmtim në gju nuk do të bëhet deri më 17 prill kur Liverpooli luan të udhëtim te Leeds Unitedi.

“Ai duket mirë, gjithçka ishte mirë, por ishte një dëmtim i gjatë dhe kështu duhet të jemi të kujdesshëm dhe ndoshta nuk do ta përfshijmë atë për të dielën. Më mirë është ta ruajmë për më vonë, pasi na kthehet Thiago”, tha Klopp kur u pyet për lojtarët e lënduar.

Trajneri gjerman konfirmoi se mbrojtësi Virgil van Dijk do të rikthehet të dielën në fushë kundër Arsenalit, pasi nuk u paraqit në barazimin 0:0 të së martës ndaj Chelseat për shkak të sëmundjes. Liverpool planifikon të shënojë 34-vjetorin e katastrofës së stadiumit “Hillsborough” me një minutë heshtje para fillimit të derbit kundër Arsenalit.