Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp ka lënë të kuptohet se nuk do të shpenzojë shumë në afatin kalimtar të verës. Klopp ka udhëhequr Liverpoolin drejt titullit të kampionit në Premier League, ndërsa ka theksuar se është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion.
Liverpooli nuk do të shpenzojë vetëm pse skuadrat rivale në Premier League po shpenzojnë.
Thiago Alcantara përmendet për një transferim te Liverpooli, skuadër kjo që u tërhoq nga gara për transferimin e Timo Wernerit, që kaloi te Chelsea.
“Jam plotësisht i kënaqur me skuadrën time, 100 për qind. Kam qenë edhe vitin e kaluar kur të gjithë na kanë pyetur për firmosjen me këtë apo atë lojtarë. Për shkak të arsyeve tona ne nuk e bëmë këtë. Nuk është se nuk kemi dashur. Ne mundohemi që vazhdimisht të bëjmë zgjidhjet e duhura. Por paraqitja e COVID-19 ka ndryshuar situatën sërish dhe jo për të mirë. Ka ndryshuar për të gjithë biznesin në botë, jo vetëm për futbollin”, ka theksuar Klopp.
“Nuk është se mendojmë që nuk mund të përmirësohemi, edhe në bazë të transferimeve. Ne vetëm e bëjmë atë që është e mundur për ne dhe atë që jemi në gjendje ta bëjmë”, ka shtuar Klopp.