Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, nuk kishte asnjë dyshim mbi përshtatshmërinë e Thiago Alcantaras për ekipin e tij, pavarësisht kritikave sezonin e kaluar se si mesfushori spanjoll ndikoi në stilin e lojës së skuadrës angleze. Reprezentuesi spanjoll ka qenë në formë të shkëlqyer në dy javët e fundit, me paraqitjen e tij mbresëlënëse në pjesën e parë të fitores gjysmëfinale të Kupës FA të fundjavës së kaluar ndaj Manchester Cityt, e ndjekur nga një paraqitje tjetër fantastike kundër Manchester Unitedit në mesjavë.
Pikërisht në këtë kohë vitin e kaluar, 29-vjeçari erdhi në veten e tij pasi ndihmoi në orkestrimin e Liverpoolit drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve, diçka që dukej e pamundur në muajin mars.
Tani, këtë sezon, Liverpooli po synon fitimin e katër trofeve dhe Thiago po shihet si i rëndësishëm për ekipin e Kloppit. Ndikimi i tij në skuadër është i dukshëm nga statistikat e fundit: në 29 ndeshjet e tij të fundit si titullar, Liverpooli ka shënuar 25 fitore, tri barazime dhe vetëm një humbje që erdhi nga Interi në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Ai tani po duket sikur mesfushori i klasit botëror që Liverpooli priste se po e merrte kur i pagoi Bayern Munichut 30 milionë euro në shtator të vitit 2020. Megjithatë, Liverpooli mori kritika të mëdha për transferimin e Thiagos, sidomos sezonin e shkuar kur të gjithë sugjeronin se mesfushori po e ngadalëson ritmin e lojës së Liverpoolit.
“Njerëzit pyesnin nëse ai i përshtatet futbollit tonë? Faleminderit Zotit, këta njerëz nuk marrin vendime”, tha Klopp. “Nëse një lojtar qetëson një lojë në momente për shumë arsye, atëherë si ekip e di shumë mirë se nuk ke gabuar me transferimin e tij”.
Në fakt, Klopp ka zbuluar se ai e kishte njoftuar Thiagon para se të transferohej se çfarë e priste te Liverpooli.
“Është më e rëndësishme që Thiago donte të na bashkohej dhe ai e dinte se si luanim. Ai është një person i vërtetë futbolli dhe mendon shumë për futbollin. Ai e dinte se si luanim dhe ai e dinte se do të përshtatej me stilin tonë. Po ashtu, edhe ne e dinim gjithashtu”, shtoi Klopp.
Një pjesë e problemit sezonin e kaluar ishte që Thiago pati vështirësi në mbërritje, pasi fillimisht u kontraktua me COVID dhe më pas humbi më shumë se dy muaj të sezonit nga një dëmtim në gju i pësuar në derbin kundër Evertonit. Në kohën kur ai u kthye, skuadra dukej shumë ndryshe me të paktën dy mesfushorët e tjerë Jordan Henderson dhe Fabinho që luanin në qendër të mbrojtjes për të mbuluar dëmtimet afatgjata.
“Ka të bëjë gjithmonë me të qenët në formë, të qëndrosh në formë dhe të mësohesh me dallimet e vogla. Thiago kishte vetëm një problem, ai u lëndua dhe filloi me një lojë me Evertonin, të jem i sinqertë. Kjo nuk ndihmoi. Nuk ishte kurrë në pyetje nëse ai do të na përshtatej. Ne e transferuam atë vetëm sepse e dinim se ai do të na ndihmonte”, insistoi Klopp.
Thiago duket e sigurt se do të fillojë sërish kundër Evertonit në derbin e 240-të të Merseysidet në “Anfield Road” të dielën – një ndeshje që Klopp pranon se do të humbiste nëse Evertoni do të binte nga kategoria. Ndërsa skuadra e Kloppit po sfidon për tre tituj të tjerë, pasi ka fituar tashmë Kupën e Ligës, Evertoni është i zhytur në një betejë për të shmangur rënien, pasi renditet në vendin e 17-të, vetëm një pikë përpara Burnleyt. I pyetur nëse do të humbiste ndeshjen, ai tha: “Po. Sigurisht, mendoj se të gjithë jemi mësuar me dy klubet e qytetit dhe kështu është”.
Përveç dëmtimit të Thiagos në përballjen e sezonit të kaluar, Liverpooli ishte gjithashtu edhe pa Virgil van Dijkun shkaku i dëmtimit të gjurit. Klopp mirëpret pasionin e takimit, por dëshiron që ai të kontrollohet.
“Këtyre derbive nuk u ka munguar asnjëherë intensiteti për të qenë i sinqertë. Unë e dua intensitetin dhe fizikun në futboll, por duhet të kujdesemi që të mos vuajmë gjatë ndeshjes”, u shpreh Klopp. “Unë dua të kem një lojë shumë intensive, shumë fizike, por duhet pasur kujdes për shkak se na pret dueli me Villarrealin. Është e rëndësishme të luajmë mirë dhe natyrisht të vazhdojmë me këtë ritëm që e kemi”.
Dueli mes Liverpoolit dhe Evertonit nis në orën 17:30.