Sport

Klopp: Milner “mesfushor i ri”, Moreno është kthyer 100%

Jurgen Klopp ka bërë të qartë se Alberto Moreno është në planet e tij për sezonin e ri, pas paraqitjeve të mira në ndeshjet parasezonale.

Dhe forma e mirë e spanjollit e lë të lirë James Milnerin që të rikthehet në pozicionin e mesfushorit, ka bërë të ditur trajneri i “Të Kuqve”, transmeton Koha.net.

Moreno tani do të luftojë me Andy Robertsonin për pozitën e krahut të majtë të mbrojtje, raporton Liverpool Echo.

“Këto ndeshje parasezonale na kanë sjellë lojtarë të rinj. Alberto Moreno është kthyer 100 për qind, gjë që është vërtetë e mirë pas një viti të vështirë. Andy Robertson ka shfaqur të gjitha aftësitë e tij. Ai ende po adaptohet me lojën tonë, por e shihni se çfarë rreziku mund të jetë në sulm. Kjo do të thotë se Millie (Milner) është i lirë të luajë në mesfushë. Pa shkuar në treg fare kemi një mesfushor të ri, që është shumë mirë”, ka thënë Klopp pas fitores, 3-1, ndaj Bilbaos.

Klopp gjithashtu ka bërë të ditur se sulmuesi i ri anglez, Dominic Solanke është i gatshëm për ekipin e parë, me performancat që ka treguar në ndeshjet parasezonale. Ai ka vlerësuar lartë edhe lojën e Ryan Kentit.

“Dom Solanke ka treguar se është i gatshëm për futbollin e të rriturve. Ryan Kent, sezonin e kaluar ai është zhvilluar për mrekulli, dhe këto ndeshje parasezonale kanë qenë krejtësisht ndryshe për të në krahasim me vitin e kaluar”, është shprehur Klopp.