Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kina urdhëron futbollistët t’i largojnë tatuazhet “për të dhënë shembull të mirë për shoqërinë”

Futbollistët kinezë do të duhet t'i nënshtrohen procesit të dhimbshëm të heqjes së tatuazheve ose rrezikojnë të mos pranohen nga ekipi kombëtar pas një urdhri të ri që ndalon vizatimin e trupit. Administrata e Përgjithshme e Sportit (GAS) ka shkuar një hap më tej sesa në vitin 2018, kur lojtarët u detyruan të mbulonin tatuazhet për të vazhduar të luajnë.

Në lëvizjen e fundit, GAS i ka nxjerrë krejtësisht jashtë ligjit tatuazhet dhe dëshiron që çdo lojtar që ka tatuazhe, t'i heqë ato në mënyrë që të “jetë një shembull të mirë” për shoqërinë kineze.

“Përfaqësueses A dhe futbollistëve të ekipit U23 u ndalohet rreptësishtë të bëjnë tatuazhe të reja, ndërsa ata që tashmë kanë tatuazhe këshillohen t’i heqin ato. Nëse ka rrethana të veçanta të dakorduara nga ekipi, lojtarët duhet të mbulojnë tatuazhet gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve”, thuhet në njoftim. Kina kishte anuluar më parë në paraqitjen e lojtareve të saj në një ndeshje futbollit të femrave në vitin 2018, pasi tha se futbollisteve u ndalohej të luanin me flokë të lyera. E një rregull i tillë tash e tutje do të aplikohet edhe për futbollistët. “Sportistët nuk lejohen të lyejnë flokët e tyre, të rritin flokë të gjata, të veshin modele flokësh të çuditshme ose të mbajnë ndonjë aksesor”, thuhet në rregullat e reja. “Përndryshe, ata do të skualifikohen nga gara”.

Tatuazhet janë trajtuar me përbuzje në Kinë, por popullariteti i tyre është rritur tek të rinjtë dhe shumë futbollistë. Zhang Linpeng i Guangzhou FC është një lojtar i tillë i njohur në të gjithë futbollin kinez për tatuazhet e tij të shumta. Por rregullat e reja duket se do të rezultojnë problematike për lojtarët më të rinj me ndonjë tatuazh të freskët që mund të rezultojë me përjashtim nga ekipi kombëtar. Lojtarët e Përfaqësueses së Kinës janë parë më parë duke luajtur me shirit që mbulon çdo zonë të dukshme të tatuazheve. GAS vazhdoi duke shtuar se ekipet kombëtare të Kinës, në të gjitha grupmoshat, duhet të organizojnë “aktivitete edukimi ideologjik dhe politik” që do të “forconin edukimin patriotik” të lojtarëve të Kinës. Vendimi titullohet “Sugjerime për forcimin e menaxhimit të futbollistëve”. Parashikohet që Federata e Futbollit të Kinës të ngarkohet me përcaktimin e kërkesave disiplinore për thirrjet e ardhshme të futbollisteve për ekipin kombëtar.