Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ekipet e futbollisteve duhet të kenë trajnere, jo vetëm trajnerë

trajnere

Secili ekip në turnetë e FIFA-s në futbollin e grave dhe vajzave duhet të përfshijë të paktën një trajnere, si kryetrajnere apo asistente, pas prezantimit të rregullit të ri.

Ndryshimi do të hyjë në fuqi gjatë Botërorëve U17 dhe U20 si dhe gjatë “Champions Cup” për futbolliste, ngjarje që mbahen këtë vit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimi u mor nga Këshilli i FIFA-s. Ky organ ka diskutuar për strategjinë afatgjatë të prezantimit të trajnereve në futboll.

Sipas rregullit të ri, të paktën dy anëtarë të stafit që qëndrojnë në bankinë duhet të jenë femra. Dhe njëra prej tyre duhet të jetë kryetrajnere apo asistente.

Rregulli vlen për të gjithë turnetë, duke përfshirë klubet dhe ekipet nacionale.

Në Kupën e Botës 2023, 12 prej 32 trajnerëve ishin femra.

“Thjesht nuk ka mjaftueshëm femra në zejen e trajnerit sot. Duhet të bëjmë më shumë për të përshpejtuar ndryshimin, duke krijuar rrugë më të qarta, duke zgjeruar mundësitë dhe duke rritur dukshmërinë për gratë në ekipet tona”, ka thënë drejtoresha e futbollit në FIFA, Jill Ellis.

“Rregullat e reja të FIFA-s, së bashku me programet e zhvillimit, janë investim i rëndësishëm në gjeneratën aktuale dhe atë të ardhshme të trajnereve të futbollit”.

FIFA shpreson se rregullat e reja do të bëjnë që numri i trajnereve të rritet ndjeshëm, duke përfshirë Botërorin 2027 në Brazil.

Një prej trajnereve më të njohura është Emma Hayes, që drejton SHBA-në.

Ajo kishte thënë në vitin 2024 se mungesa e trajnereve në futbollin anglez është çështje e rëndësishme, ndërsa kishte bërë thirrje që udhëheqësit e sportit të gjejnë ide më kreative për të adresuar këtë problem.

Holandezja Sarina Wiegman ishte e vetmja trajnere që arriti në çerekfinale të Kupës së Botës 2023.

“Shpresojmë për më shumë trajnere në nivelin më të lartë. Meshkujt janë të mirëseardhur po ashtu, por nëse përqindja është më e barabartë, kjo do të frymëzojë më shumë femra që të përfshihen në zejen e trajnerit”, ka thënë ajo.

Te Kosova, ekipet përfaqësuese të grupmoshave të reja të futbollisteve kanë trajnere, ndërsa përfaqësuesja A ka trajner. Në stafin e tij janë edhe disa trajnere.