Përfaqësuesja e Kinës në futboll ka përfshirë në ekip pesë lojtarë të huaj për kualifikimet vendimtare të kampionatit botëror “Katari 2022”, që nisin në fillim të muajit të ardhshëm. Vendi më i populluar në botë po e rrit politikën e tij të diskutueshme të natyralizimit.
Kina, që ka ambicie të mëdha, por aktualisht renditet në pozitën e 77-të në ranglistën e FIFA-s, filloi rekrutimin e lojtarëve të lindur jashtë vendit në vitin 2019. Nëpërmjet futbollistëve të natyralizuar po përpiqet të sigurojë kualifikimin në Kampionatin Botëror që mbahet vitin e ardhshëm në Katar. Përzgjedhësi i Kinës, Li Tie, në listën prej 26 futbollistëve ka përfshirë tre lojtarë sulmues që kanë origjinë nga Brazili. Elkeson, Fernando Henrique e Alan Carvalho pritet t’i prijnë sulmit të Kinës në këto kualifikime. Gjithashtu te Kina është përfshirë në listë edhe bashkëlojtari i brazilianëve te Guangzhou FC, Tyias Browning, ish-qendërmbrojtësi i Evertonit, që ka luajtur për ekipet e reja të Anglisë. Lojtari i pestë i natyralizuar është Nico Yennaris, ish-mesfushori i Arsenalit që gjithashtu ka luajtur për ekipet e reja të Anglisë përpara se të transferohej në Kinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jemi të vendosur për të siguruar kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm dhe duhet të shfrytëzojmë të gjithë lojtarët që i kemi në dispozicion, përfshirë edhe të natyralizuarit. Në fakt tek ata i kemi edhe shpresat më të mëdha”, është shprehur përzgjedhësi Tie.
Në ndeshjen e fundit kualifikuese, të cilën e luajti në nëntor të vitit 2019 dhe atëherë drejtohej nga ish-përzgjedhësi i Italisë, Marcello Lippi, Kina pësoi humbje nga Siria (2:1). Në atë duel te Kina u paraqitën vetëm Elkeson e Yennaris.
Disa media kineze, ekspertë dhe ish-futbollistë kanë vënë në dyshim lëvizjen e Federatës së Futbollit të Kinës për të sjellë lojtarë të huaj. Shpresat e Kinës për të siguruar paraqitjen në Botëror janë në dyshim. Kina është e dyta në grup me shtatë pikë të mbledhura, tetë më pak se Siria, që është lidere dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Deri në fund të kualifikimeve kanë mbetur edhe katër xhiro derisa vetëm vendi i parë do të kualifikohet direkt në Botëror. Megjithatë, përzgjedhësi Tie është optimist. Kthimi i yllit kinez, Wu Lei, ka rritur shpresat te Kina në prag të ndeshjeve eliminatore. Lei ka nisur të stërvitet me ekipin e Espanyolit dhe pritet t’i ndihmojë Kinës në këtë mision të rëndësishëm.
“Jam optimist i madh se mund të sigurojmë kualifikimin në ndeshjet e mbetura kualifikuese. Besoj se jemi më të kompletuar se kurrë”, ka thënë Tie, i cili në këtë post zëvendësoi italianin Lippi.
Kina do të përballet me Maldivet, Guamin, Filipinet dhe Sirinë, në tentim për të siguruar vendin e parë në grup dhe kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm.