E re, e vendosur dhe e gatshme për të shfrytëzuar shanset e saj. Udhëtimi i skiatores Kiana Kryeziu për në Lojërat Olimpike pasqyron historinë e fundit të vendlindjes së saj, Kosovës, me adoleshenten që do të bëhet sportistja e parë që do të paraqitet në lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”.
Kështu ka shkruar agjencia e lajmeve AFP të enjten për skitaren e re kosovare.
“Është një nder shumë i madh”, tha Kryeziu gjatë seancës së saj të fundit stërvitore në Kosovë përpara Lojërave Dimërore, të cilat fillojnë në Kinë javën e ardhshme. “Unë më të vërtetë dua ta vendos Kosovën sa më lart që të mundem në tabelën e liderëve”.
Suksesi i skiatores që garon në sllallom të madh ka nxitur krenarinë kombëtare në Kosovë, shkruan agjencia franceze e lajmeve.
“Unë jetoj për lajme të tilla. Jemi të lodhur nga historitë dëshpëruese për koronavirusin, ndotjen e mjedisit dhe krizën energjetike”, tha Gentian Haxhiu, një student biznesi 26-vjeçar.
“Përfaqësimi ynë në këtë Olimpiadë sigurisht që forcon imazhin e shtetit tonë”, tha Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Pas suksesit të Kosovës në Tokio verën e kaluar, Kryeziu shpreson të mbajë gjallë ëndrrën me debutimin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore. Kryeziu filloi të skijonte si e vogël dhe menjëherë u dashurua me këtë sport, falë mbështetjes së familjes së saj që e shtyu të ndiqte ëndrrat për t’u bërë profesioniste.
Edhe
Rrëfimi i Kiana Kryeziut, skitares së parë kosovare që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”
“Ishte si të mbanim një mal mbi supe,” pranon babai i saj, Visari. “Duke pasur parasysh se skijimi alpin është një sport shumë i shtrenjtë, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Dimërore është një moment historik”.
Kiana Kryeziu tani është gati të garojë kundër më të mirave në botë.
“Do të bëj ski me idhujt e mi dhe me njerëzit që kam kohë që i shikoj në televizor”, tha Kryeziu. “Unë mendoj se do të jetë e mahnitshme”.