Naby Keita ka insistuar se do të jetë pjesë e Liverpoolit edhe për sezonin e ri. Madje, mesfushori i Guinesë në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ka thënë se synimi i tij në edicionin 2022/23 është ta sigurojë një vend titullari në ekipin e trajnerit Juergen Klopp.
Këtë verë ka pasur raportime se Keita do të largohet nga Liverpooli, por 27-vjeçari ka dhënë sinjale se është i gatshëm ta rinovojë kontratën me klubin anglez që i skadon vitin e ardhshëm.
“Sigurisht, se do të jem pjesë e Liverpoolit në sezonin e ri, në të cilin synoj të jem titullar dhe të kem paraqitje të mira. Shpresoj të luaj sa më shumë ndeshje dhe ta ndihmoj ekipin të arrij synimet”, ka thënë Keita, i cili është pjesë e Liverpoolit prej vitit 2018.