Sport

KB Trepça mbetet pa Tmushiqin

Skuadra e Trepçës ka mbetur pa njërin prej basketbollistëve kryesor vendor. Mikaile Tmushiq që u lëndua në fitoren kundër Sigal Prishtinës (80:75) të mërkurën mbrëma në Mitrovicë, do të duhet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik.

Klubi mitrovicas të enjten ka njoftuar se dëmtimi i Tmushiqit doli të ishte më i komplikuar sesa që ishte menduar dhe për ta tejkaluar atë, Tmushiqi patjetër duhet të operohet.

Në njoftimin e klubit nuk është bërë e ditur se për sa kohë do të mungojë Tmushiqi, por është thënë se për ecurinë e rehabilitimit dhe kthimin e tij në parket, do të njoftojnë me kohë.

Tmushiq iu bashkua Trepçës si përforcim i madh para fillimit të këtij edicioni, pasi sezonin e shkuar e fitoi titullin e kampionit me Golden Eagle Yllit. Këtë edicion në Superligë, Tmushiq ka luajtur me një mesatare prej 11 pikëve për ndeshje me fanellën e Trepçës.