Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KB Rahoveci kërkon fitore për ta shmangur pozitën e fundit në BIBL

Nënkampionit të Kosovës në basketboll, Rahovecit, i duhet fitorja në ndeshjen ndaj Ibarit të Rozhajës për të mos e mbyllur pjesën e rregullt të edicionit në pozitën e fundit në Ligën Ballkanike (BIBL).

Rahoveci, të enjten prej orës 17:00 luan në udhëtim ndaj Ibarit dhe kjo është ndeshja e fundit e pjesës së rregullt, pasi garat do të vazhdojnë me fazën tjetër në të cilën do të përfshihen të pesë ekipet, transmeton Koha Ditore.

Aktualisht Rahoveci është i fundit, i pesti, me nëntë pikë, një më pak se Vllaznia dhe Ibari që renditen në pozitat tre dhe katër.

Ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave që u pati zhvilluar në Rahovec, pati përfunduar me fitoren e ekipit nga Mali i Zi, 77:74.

Rahoveci deri më tash ka dy fitore e pesë humbje në BIBL. Pos Rahovecit, Kosovën në BIBL po e përfaqëson edhe Peja që pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e dytë me 13 pikë. Të martën mbrëma, Peja triumfoi në udhëtim ndaj Ibarit, 84:73.