Skuadra e Pejës do ta ketë një mungesë të madhe në muajt e fundit, pasi lëndimi i basketbollistit amerikan, Tervell Beck do të jetë më serioz se sa ishte menduar në fillim.
Nëpërmjet një njoftimi të enjten, Peja ka njoftuar se Beck do të mungojë për disa muaj për shkak se ka thyer këmbën dhe duhet patjetër t’i nënshtrohet operimit.
Në fakt, Beck javët e fundit i ka munguar Pejës për shkak të lëndimit të nyjës që e kishte pësuar kundër Den Boschit në Holandë në kuadër të FIBA Europe Cup.
Mirëpo, pas testeve të detajuara ka rezultuar se ai ka thyer këmbën dhe për këtë arsye deri në rikuperimin e plotë nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Rami Hadar për disa muaj.
Beck (201 cm), iu bashkua Pejës në fillim të këtij edicioni dhe deri më tani, ai ka luajtur me një mesatare prej 15 pikëve në të gjitha garat për kampionen në fuqi të Kosovës.