Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, ka njoftuar të mërkurën klubi i Baselit.
Siç bën të ditur klubi zviceran, Kasami është izoluar, por pa ndonjë simptomë.
“Gjatë pushimit shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare, të gjithë lojtarët dhe anëtarët e stafit të ekipit të parë janë testuar sërish dhe vetëm Pajtim Kasami ka dalë pozitiv. Baseli i uron shërim të shpejtë Kasamit dhe do t’u jap informacione sa më shumë”, shkruan në njoftimin e klubit të Baselit.
Pjesë e Baselit janë edhe disa futbollistë shqiptarë.
Kasami 28-vjeçar këtë edicion në 24 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuar me tri asistime.
Ai me Baselin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa kësaj skuadre iu bashkua në tetor të vitit të kaluar.