Mesfushori Pajtim Kasami mund të kthehet në Serie A. “Blick” ka shkruar të martën se mesfushorin e Baselit po e kërkon me ngulm skuadra e Venezias, e cila këtë edicion është rikthyer në elitën e futbollit të Italisë. Thuhet se Venezia tashmë e ka bërë gati ofertën për Kasamin dhe po insiston në transferimin e tij.
Ekipi italian është i gatshëm t’i paguajë Baselit rreth dy milionë euro për Kasamin, i cili ka kontratë me ekipin zviceran deri në fund të këtij sezoni. 29-vjeçari këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 29 paraqitje për Baselin në të gjitha garat.
Te Baseli kanë pranuar se janë të gatshëm t’ia ofrojnë Kasamit rinovimin e kontratës për të mos lejuar largimin e tij.
“Ne duam të vazhdojmë bashkëpunimin me Pajtimin, por ai duhet të jetë 100 për qind i gatshëm për të mbetur te Baseli. Ky është kushti për të vazhduar kontratën, pasi nuk duam që ai të largohet”, ka thënë shefi i Baselit, David Degen.