Futboll

Pajtim Kasami i bashkohet klubit të Superligës

Pajtim Kasami

Një transferim i vërtetë bombë në Winterthur. Kështu ka shkruar të enjten gazeta e madhe zvicerane “Blick”.

“Një emër i shquar në futbollin zviceran do të luajë tani në mesfushë te Winterthuri”, shkruan “Blick”. 

Sipas “Blickut”, Pajtim Kasami ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit me Winterthurin”. 

Fituesi i Kupës së Botës me Zvicrën U17 pati sezon të vështirë te Sampdoria. Ai shkëputi kontratën brenda pak muajsh. Hapësirë nuk pati as te Sioni.

“Kasami është tashmë në stërvitjen e ekipit”, ka vazhduar shkrimin “Blick”.

“Me Kasamin me përvojë ndërkombëtare dhe teknikisht të aftë, Winterthur ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm duke sjellë cilësi në fushë, por edhe duke marrë një rol udhëheqës jashtë saj. Është gjithashtu një rikthim për Kasamin”.

Kasami për Zvicrën ka luajtur 12 ndeshje. Luajti në ekipin e të rinjve të Winterthurit përpara se t’i bashkohej Grasshopperit në verën e vitit 2006. Ai më pas pati ngritje në karrierë duke u paraqitur në Serie A, Premier League dhe Superligë të Greqisë, ku fitoi dy tituj kampioni dhe një kupë me Olympiakosin. Winterthur është klubi i katërt për Kasamin në Superligën zvicerane të futbollit, pas Lucernit, Sionit dhe  Baselit.