Sport

Kasami afër rikthimit në Greqi

Pajtim Kasami ka zhvilluar 66 ndeshje për Olympiacosin dhe tani është në prag të rikthimit te klubi grek, ka shkruar të hënën “Gazzetta.gr”.

Mediumi grek ka shkruar se Kasami ka qenë i pranishëm në ndeshjen Olympiacos – Volos, që përfundoi 1:1 të dielën në stadiumin “Karaiskakis”.

Kasami ka qenë pjesë e elitës së futbollit të Greqisë nga viti 2014 deri në vitin 2017. Gjatë asaj kohe për një periudhë u huazua te Nottingham Foresti.

Kasami, mesfushori i cili ka luajtur 12 ndeshje me Përfaqësuesen e Zvicrës, në edicionin e fundit ishte pjesë e Baselit. Kontrata e tij skadoi në korrik.

Pjesë e Olympiacosit ditë më parë u bë edhe ish-futbollisti i Real Madridit, braziliani Marcelo.

Kasami ka karrierë të pasur si futbollist. U zhvillua te të rinjtë e Zuerichut, Winterthurit, Liverpoolit e Lazios.

Karrierë me skuadra seniore ka bërë te Bellinzona, Palermo, Fulham, Luzern e Sion.