Bayern Muencheni do të përballet me sulmuesin Karim Adeyemi - yllin gjerman në ngritje të cilin bavarezët e lanë të largohej - kur të mërkurën të luajë ndaj Salzburgut në derbin alpin të Ligës së Kampionëve.
Me shpejtësinë dhe teknikën e tij, qendërsulmuesi i Salzburgut ka dëshmuar se është shumë i fortë për t'u përballuar nga mbrojtjet në Bundesligën austriake këtë edicion. 14 golat e tij në 18 ndeshje kampionale kanë tërhequr shumë vëmendje. Siç shkroi legjenda gjermane Lothar Matthaus në kolumnën e tij për të përditshmen “Bild”, Adeyemi ka potencialin të jetë i papërballueshëm për shumicën e klubeve në pak vjet.
“Një plus i madh është shpejtësia e tij, ai ka ritëm të pabesueshëm”, shkroi Matthaus.
Rivali i Bayernit në Bundesligë, Borussia Dortmundi, raportohet se kryeson garën për transferimin e Adeyemit në verë. Raportohet se Dortmundi ka pranuar të paguajë 30 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e sulmuesit. Në fillim të këtij edicioni trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, e përshkroi Adeyemin si shënues “të ftohtë”.
Bayerni duhet të jetë pishman që e ka lënë sulmuesin të largohet. Ai lindi në Muenchen nga një baba nigerian dhe nënë rumune, si dhe i kaloi dy vjet në akademinë e të rinjve të Bayernit përpara se të lirohej. Adeyemi më pas bëri rrugën e tij te gjeneratat e reja të një klubi tjetër të Muenchenit, Unterhaching, përpara se Salzburgu ta fitonte garën përballë Chelseat për transferimin e tij. Ekipi austriak e transferoi Adeyemin në vitin 2018, kur ai ishte ende vetëm 16-vjeçar. Pas tri edicionesh të kaluara në huazim te FC Lieferingu, Adeyemi hyri në ekipin e parë të Salzburgut në vitin 2020 dhe që nga atëherë është titullar i pazëvendësueshëm.
Flick i mundësoi atij debutimin te Përfaqësuesja e Gjermanisë shtatorin e kaluar, kur Adeyemi u fut nga banka e rezervistëve dhe për 18 minuta të kaluara në fushë arriti të shënonte gol në fitoren 6:0 ndaj Armenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Edhe
Adeyemi te Barcelona – a do të nxjerrë Flick më të mirën prej tij?
20-vjeçari është lojtari i parë pas Luftës së Dytë Botërore, me bazë në Austri e që luan për Gjermaninë. Në Ligën e Kampionëve tre golat e tij në fazën e grupeve siguruan kalimin e Salzburgut në 1/8 e finales. Ai mund të shënojë dhe të krijojë raste për gola dhe këtë e dëshmoi me harkimin e tij në golin e vetëm të shënuar nga Noah Okafor për fitoren 1:0 në shtëpi ndaj Sevillas, fitore e cila e dërgoi Salzburgun në fazën e nokautit. Nëse përfundon transferimin në Dortmund, Adeyemi do të zëvendësojë Erling Haalandin, ish-lojtarin perspektiv të Salzburgut, i cili pritet të bëjë një kalim të profilit të lartë në një nga klubet më të mëdha të kontinentit. Adeyemi është një lloj tjetër lojtari, më i prirë për të dribluar në zonë dhe për të ndarë mbrojtjen me një pasim vrasës.
Ashtu si Bayerni në Gjermani, Salzburgu ka dominuar plotësisht ligën e Austrisë vitet e fundit dhe po shkon drejt titullit të nëntë rresht. Por trajneri Matthias Jaissle është dorëzuar në tentimin për ta mbajtur yllin e tij, Adeyemin, edhe pas këtij edicioni.
“Kam pasur disa biseda të hapura me Karimin kështu që çdo vendim që ai merr nuk do të jetë surprizë për mua”, tha Jaissle. “Është mënyrë e jona në Salzburg që lojtarët të mund të bëjnë hapin tjetër kur të jenë zhvilluar mirë. Karimi është i gatshëm për këtë hap”.