Borussia Dortmundi dhe Karim Adeyemi janë pajtuar që futbollisti t’i bashkohet skuadrës në verë, si zëvendësues i Erling Haalandit, ka raportuar “Skysport” i Gjermanisë të premten.
Dortmundi është në përcjellje të sulmuesit të Salzburgut tash e një kohë dhe është i gatshëm të paguajë dëmshpërblimin e 30 milionë eurove, plus gjashtë milionë eurove të tjera bonuse.
Haalandi ka klauzolë lirimi prej 75 milionë eurove, e cila do të hyjë në fuqi në qershor.
“SkySportNews” raportoi javën e kaluar se Manchester City është i gatshëm ta paguajë atë shumë të parave.
Adeyemi është kërkuar edhe nga Liverpooli e PSG-ja, pasi sulmuesi ka shënuar 20 gola në 39 paraqitje këtë edicion.
20-vjeçari Adeyemi do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Dortmundin, ndërsa do të përfitojë rreth 6.5 milionë euro në vit.