Karim Adeyemi po gjen formën e tij më të mirë në kohën e duhur për Borussia Dortmundin, që po lufton për të fituar titullin e kampionit në Bundesligë. Sulmuesi 21-vjeçar i Gjermanisë shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër për Dortmundin, për të shtuar presionin ndaj liderit të ligës, Bayern Munich, me një fitore të thellë 6:0 kundër Wolfsburgut.
Me këtë triumf Dortmundi ktheu diferencën në vetëm një pikë, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të edicionit.
Adeyemi u duartrokit nga tifozët vendas, por ai nuk ishte në disponim për shkak se humbi një penallti dhe mundësinë për të realizuar “hat-trick”.
“Prioritet është ekipi dhe jo unë. Ishte shumë e rëndësishme që fituam ndeshjen e fundit për të mbajtur hapin me Bayernin, por isha shumë i mërzitur me veten që nuk i shënova tre gola”, tha Adeyemi për paraqitjen e tij më të mirë prejse iu bashkua Dortmundit vitin e kaluar nga Salzburgu.
Skuadra e Dortmundit shkëlqeu në përgjithësi ndaj Wolfsburgut dhe sipas trajnerit Edin Terziq ky është një sinjal se ekipi nuk do të dorëzohet deri në fund. Terziq beson se Dortmundi mund ta thyejë dominimin e Bayernit në Gjermani.
Bayerni po synon titullin e 11-të rresht. Trajneri Terziq shpreson që Adeyemi të vazhdojë me këtë formë edhe në tri ndeshjet e mbetura të ekipit të tij.
“Nuk e di nëse ai kishte 100 aksione apo 50, por 99 apo 49 nga këto aksione ishin pozitive”, tha Terziq për Adeyemin. “Ai ishte fantastik dhe shpresoj të vazhdojë me paraqitje të tilla deri në fund të sezonit, duke e shtyrë ekipin drejt titullit të kampionit. Jemi prapa në këtë garë, por nuk do të dorëzohemi deri në fund dhe optimizmi është i madh për t’u shpallur kampion”.
Terziq tha se shpejtësia e Adeyemit është “gjithmonë një armë” shtesë për Dortmundin, të cilën ekipet kundërshtare duhet ta marrin parasysh.
“Nëse kundërshtari sulmon ai duhet të ketë kujdes nga kundërsulmi ynë dhe shpejtësia e Karimit. Ne gjithmonë duam të përdorim armët që kemi në fushë, jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje. E Karimi është një prej armëve tona kryesore”, shtoi Terziq.
Adeyemi nuk është lojtari më i gjatë në ekipin e Dortmundit, por tashmë ka treguar se sa lartë mund të kërcejë, kur asistoi me goditje me kokë në fitoren 4:0 ndaj Eintracht Frankfurtit dy javë më parë. Ai tani ka tre gola dhe po aq asistime në tri ndeshjet e fundit.
Lojtarët tjerë gjithashtu shkëlqyen kundër Wolfsburgut, përfshirë portierin Gregor Kobel dhe mbrojtësin Mats Hummels, ndërsa Dortmundi paralajmëroi Bayernin për tri ndeshjet e fundit. Skuadra e trajnerit Terziq luan me Borussia Moenchengladbachun në shtëpi, përpara se ta vizitojë Augsburgun. Ndërsa, ndeshjen e fundit të edicionit e luan në shtëpi kundër Mainzit. Edhe Bayerni ka dy ndeshje në shtëpi, me Schalken dhe Leipzigun, përpara se të përfundojë sezonin në Koeln.
Ndeshjet e xhiros së fundit luhen në të njëjtën kohë, por Bayerni luan para Dortmundit në dy xhirot e ardhshme. Ky është avantazh për bavarezët, sipas drejtorit sportiv të Dortmundit, Sebastian Kehl.
“Askush nuk na pyeti, por sigurisht që është një disavantazh nëse gjithmonë duhet të arrini Bayernin gjatë tri javëve të ardhshme”, tha Kehl.
Emre Can, një tjetër lojtar me paraqitje të jashtëzakonshme kundër Wolfsburgut, thotë se besimi është i madh te të gjithë në skuadër se mund t’i japin fund mbretërimit të Bayernit.
“Asgjë nuk është vendosur për ne. Ne duam të fitojmë ndeshjet tona dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Can. “Por besimi është i madh për titull”.