Sulmuesi Harry Kane ka pasur një fillim të shkëlqyer me Bayernin. Kapiteni anglez ka shënuar 22 gola në pjesën e parë të edicionit. Kane ka barazuar rekordin e Robert Lewandowskit për më shumë gola të shënuar për vetëm një pjesë të edicionit në Bundesligë.
Kane ka folur për “Kicker” dhe nuk e ka përjashtuar kthimin në Premier League pas një kohe. Po ashtu ka treguar se si e bindi Thomas Tucheli t’i bashkohej kampionit gjerman.
“Thomasi më tha idetë e tij ku më sheh në ekip, çfarë kemi nevojë dhe si mund ta përmirësojë ekipin. Ai investoi shumë dhe kjo më bëri përshtypje. Ai ka ide të shkëlqyera taktike dhe e di se si dëshiron të luajë. Ai sjell energji dhe pasion të mirë kur është në dhomën e zhveshjes. Më pëlqen të mësoj. Ne flasim shumë për futbollin, për ndeshjet dhe atë që ai ka nevojë nga unë”, ka thënë Kane.
Kapiteni i Anglisë iu bashkua Bayernit në gusht të vitit të kaluar pasi kaloi 14 vjet te Tottenhami.